Në mbrëmjen e katërt të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, e cila mbahet në kuadër të Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2019”, është dhënë shfaqja “Hipokritët ose Pacienti anglez” me tekst të Jeton Nezirajt, regji të Blerta Nezirajt dhe Agon Myftarit, e ku janë paraqitur aktorët Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimaj, Shpëtim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, Suada Abazi (muzikante). Kjo shfaqje është prodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina.
“Hipokritët ose pacienti anglez” vë në thumb të kritikës sistemin shëndetësor, në një shoqëri ku shëndetësia nuk është vënë në shërbim të qytetarëve dhe të shëndetit të tyre, por në të pacienti shihet vetëm si objekt nga i cili përfitojnë industria farmaceutike, sigurimet shëndetësore, spitalet private.
Në kohën kur spitalet publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, të atillë që nuk plotësojnë nevojat e qytetarëve, në pah dalin mjekë të korruptuar, keqpërdorues që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.
Kjo shfaqje pasqyron një realitet të ndodhur në hapësirën tonë në të cilën jetojmë, kohë kur pati keqpërdorime të mëdha në mjekësi e kur në rrezik është vënë edhe jeta e qytetarëve dhe krejt kjo situatë është paraqitur përmes lojës së gjashtë personazheve, të cilët gjatë tërë kohës kanë qëndruar në skenë, e ku janë paraqitur Qendrat e masazheve që ofrojnë ‘happy-end’, transplanti ilegal i veshkave, operacionet mashtruese të stentave – krejt këto, nën hijen e punimeve intenzive për ndërtimin e “autoudhës së paqes ballkanase”.
Edhe kësaj radhe publiku ka mbushur sallën, duke dëshmuar se publiku gjilanas i qëndron besnik “Talias së Flakës”.
Në mbrëmjen e pestë, që njëkohësisht është edhe e fundit dhe ku pritet të jepen shpërblimet për të më dalluarit, do të jepet shfaqja “Kur hana del” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, me autor Ag Apolloni e me regji të Ben Apollonit.