KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan
KRU “Hidromorava” SH.A – Gjilan bën thirrje për ndërgjegjësimin e konsumatorëve mbi Kyçjet Ilegale dhe Pagesat në kohë, duke theksuar bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët
Të nderuar konsumatorë të Hidromoravës,
Ndërsa po hyjmë në muajt e verës, temperaturat e larta do të rrisin nevojën për ujë të pastër dhe të pijshëm për çdo familje dhe biznes. Si kompania e ujësjellësit që kujdeset për furnizimin tuaj me ujë, Hidromorava është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë të kenë akses të pandërprerë në këtë burim jetësor.
Për të përmbushur këtë detyrë, jemi duke rritur intensitetin e punës në terren për të identifikuar dhe eleminuar kyçjet ilegale, të cilat jo vetëm që ndikojnë negativisht në cilësinë dhe sasinë e furnizimit me ujë, por edhe rrisin kostot për të gjithë konsumatorët. Është e rëndësishme që secili prej nesh të jetë i përgjegjshëm dhe të kontribuojë në përdorimin e drejtë dhe të ligjshëm të resurseve të ujit.
Përveç kësaj, po ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të grumbulluar borxhet e akumuluara nga konsumatorët. Pagesa e faturave në kohë është thelbësore për funksionimin efikas të sistemit të ujësjellësit dhe për garantimin e shërbimeve të vazhdueshme e cilësore. Për të gjithë ata që kanë vonuar pagesat, ju bëjmë thirrje që të bashkëpunoni dhe të shlyeni detyrimet tuaja sa më shpejt të jetë e mundur.
Në këtë periudhë, angazhimi ynë është i palëkundur për të siguruar që çdo konsumator të ketë furnizim të pandërprerë me ujë cilësor. Ne jemi duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke zbatuar masa të reja për menaxhimin e burimeve ujore. Megjithatë, ky përkushtim kërkon bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj të plotë.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj. Së bashku, mund të sigurojmë një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurte për të gjithë. /2LONLINE/