(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas vizitës në shërbimin e zjarrëfikjes dhe shpëtimit ka vizituar edhe Spitalin Regjional të Gjilanit dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku nga afër është njoftuar për punën dhe angazhimet që ata i kanë në ditën e festës, por edhe në përgjithësi gjatë punës së këtyre institucioneve të cilat janë në shërbim të qytetarëve.
Me këtë rast kryetari Haziri, tha se sot kur të tjerët pushojnë shërbimet po punojnë dhe janë pranë qytetarëve. “Sot kur të gjithë të tjerët pushojnë shërbimet po punojnë, si në shërbimin zjarrfikës, në Spitalin Regjional, por edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku të gjithë janë në kujdestari për t’i shërbyer qytetarëve të Komunës së Gjilanit”, tha ai.
Haziri ka bashkëbiseduar me infermierët, motrat medicinale, me pacientët të cilët merrnin shërbimet shëndetësore duke u interesuar si për shërbimet ashtu edhe për të arriturat dhe problemet eventuale që ata kanë në kryerjen e detyrës së tyre.
Edhe sa i përket punës në qeverisjen me Gjilanin ai ka thënë se do të punohet pa ndërprerë në kthimin e imazhit dhe ecjes përpara në të gjitha fushat.
“Nga dje kemi nisur dinamikën e shtuar të punës, do të punojmë për 24 orë dhe shtatë ditë në javë, sikur që po punojnë kujdestarit në këto shërbime emergjente. Gjilani është zhytur në borxhe për shkak të mos disiplinës buxhetore që e kemi gjetur dhe kemi vendosur që me angazhim maksimal, me ulje të shpenzimeve të arrijmë që ta përballojmë dhe kalojmë këtë gjendje të cilën e kemi gjetur në Komunën tonë” ka thënë Haziri.
Gjithashtu kryetari i Komunës Lutfi Haziri i ka uruar të gjithë qytetarëve katolik festën e kërshëndellave. /2lonline/