(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka vizituar sot kompaninë regjionale të ujërave “Hidromorava”, ku është pritur nga drejtori i ri Muhamet Suliqi. Kreu i Gjilanit Haziri i uroi për detyrën e re drejtorit Suliqi, duke i ofruar bashkëpunim dhe përkrahje të plotë, për t’i arritur objektivat e përbashkëta.
“Kam ardhur t’ju uroj për pozitën e re dhe t’ju konfirmoj bashkëpunimin dhe përkrahjen e plotë të Komunës së Gjilanit në mënyrë që kompania “Hidromorava” të bëhet më e shkathtë dhe më funksionale meqë lidhet shumë me programin tonë për infrastrukturën, ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon për rrugët, ujin, kanalizimin e ndriçimin publik. Jemi të interesuar të bashkëpunojmë shumë mirë, në mënyrë që t’i arrijmë objektivat e përbashkëta”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri me këtë rast, ka falënderuar qeverinë zvicerane,e cila është donatorja më e madhe në Gjilan për të përmirësuar gjendjen me ujë të pijshëm për qytetarët.
Nga ana e tij, drejtori i KRU “Hidromorava” Muhamet Suliqi, ka falënderuar kryetarin Haziri për përkrahjen e ofruar, ndërsa e informoi atë për sfidat, problemet dhe objektivat e kësaj kompanie.
“Ju falënderoj për kohën dhe kujdesin e treguar nga ana e juaj kryetar. Përkushtimi juaj është respekt për ne. Unë së bashku me stafin tim po punojmë për ta kthyer besimin e qytetarëve ndaj kompanisë sonë. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me drejtorët e Komunës së Gjilanit dhe bashkërisht do t’ia dalim që t’i kryejmë punët tona që e kemi për obligim ndaj qytetarëve”, tha drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.
Suliqi shtoi se do të punohet shumë në rritjen e inkasimit, ndërsa përmendi edhe synimet e kompanisë për ndërrimin e gypave të asbestit për të parandaluar humbjet e ujit si dhe për shkaqe shëndetësore. /2L ONLINE/