(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku Rexhepi dhe drejtorët komunal, kanë vizituar sot Bashkësinë Islame në Gjilan me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku u pritën nga kryetari i BI-së, Sylejman Osmani dhe kryesia e saj.
Me këtë rast, kryetari Haziri i ka uruar edhe njëherë qytetarët e Gjilanit për festën e Fitër Bajramit, duke thënë se madhështia e muajit të madh të Ramazanit sot u manifestua me falje të përbashkët në qendër të qytetit të Gjilanit.
“Më lejoni që edhe njëherë t’ju uroj përmes kryetarit, imamëve të xhamive dhe gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajramit. Madhështia e muajit të madh të Ramazanit sot u manifestua me falje të përbashkët në qendër të qytetit, ku të gjithë njerëzit pa kurrëfar dallimi para Zotit u barazuan, ashtu cfarë na thërret gjithmonë misioni i Tij. Uroj që Zoti t’i shpërblej dhe t’i ndihmojë të gjithëve që ta përballojmë këtë gjendje, këtë jetë dhe këtë borxh në mënyrën më të mirë dhe faqebardhë. Zoti ju ruajt të gjithëve!”, tha me këtë rast kryetari Haziri.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Sylejman Osmani, ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën, ndërsa tha se festa e Fitër Bajramit i bashkon të gjithë myslimanët kudo që janë.
Duke ua uruar të gjithë qytetarëve Fitër Bajramin, ai tha se kjo festë vjen pas një sakrifice të madhe që e kanë bërë besimtarët myslimanë, e i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm. /2L ONLINE/