Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Mustafa, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit për çështjen kombëtare në mërgim, Ilir Mustafa.
Në telegram thuhet:
“E nderuara familja Mustafa,
Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim dhe veprimtarit për çështjen kombëtare, Ilir Mustafa.
Iliri që prej viteve 90-ta ka pasur një angazhim të pashoq për sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve.
Ndërkaq, pas luftës së Kosovës, Iliri ka vazhduar punën e jashtëzakonshme për shtetbërjen e Kosovës dhe lirisht mund ta cilësojmë si ambasador të Kosovës në Francë për dy dekada.
Gjatë tërë jetës së tij, Iliri u angazhua për Kosovën dhe Gjilanin e tij përmes Asociacionit “Kosova- Ansambël” në Francë deri në frymën e fundit. Prandaj, ka qenë në nderin tim që ta njoh dhe të bashkëpunoj nga afër me të për dy dekada.
Veprimtarin Ilir Mustafa do ta kujtojmë edhe për punën dhe kontributin e tij në një kohë të pakohë, në organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës në vitin 1991, në Gjilan, kur shumica absolute e shqiptarëve u deklaruan për pavarësinë e vendit.
Ndarja nga kjo jetë e Ilirit, është humbje e madhe për Gjilanin dhe për Kosovën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Mustafa, shokëve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Lamtumirë miku im!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Haziri dërguar familjes Mustafa.