(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Kulturës, Bujar Haziri dhe drejtorët tjerë komunal, ka vizituar sot Teatrin e Qytetit, ku me insistimin e tij kanë filluar së realizuari dy shfaqje teatrale: “Mbledhja në Parlament” me regji të Ekrem Sopit dhe “Alieni” me regji të Erson Zymberit.
Kryetari Haziri ka qenë i pranishëm në një nga sesionet e provave të shfaqjes “Mbledhja në Parlament”, ku ka bashkëbiseduar me regjisorët dhe aktorët për ecurinë, duke i konfirmuar mbështetjen e Komunës për artin në përgjithësi edhe përkundër vështirësive buxhetore.
Kreu i Komunës së Gjilanit tha se është i vendosur që ta çoj deri në fund programin për strukturimin dhe pavarësimin e institucioneve kulturore siç është teatri, duke garantuar buxhet vjetor të qëndrueshëm për zhvillimin e veprimtarive teatrale.
Haziri ka kërkuar nga menaxhmenti që të rritet performanca, në mënyrë që të kemi mundësi që të krijojmë burime alternative financiare, duke shfrytëzuar asetet që ka teatri.
“Kuvendi Komunal garanton buxhet bazik, por teatri mund të gjeneroj të ardhura nga burimet alternative dhe njëherë e përgjithmonë të pavarësohet financiarisht”, tha kryetari Haziri.
Kryetari i Komunës ka potencuar se ky është teatër profesionist dhe nuk assesi nuk do ta pranoj si teatër komunal.
“Jam i interesuar ta rikthejmë statusin e Teatrit Profesionist, duke i dhënë atë që vërtet e meriton”, është shprehur kryetari Haziri. /2L ONLINE/