Kryetari i Degës së LDK’së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka përcjellë një mesazh për qytetarët.
“Faleminderit votuesve për konfirmimin e votave për LDK’në në Gjilan. Punuam për rritje, por arritëm në shifrën e afro 14 mijë vota. Por, të zhgënjyerit e koalicionit të PDK’së ndihmuan në ‘rritjen’ e VV’së edhe në Gjilan. Ne e respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe vazhdojmë ta ruajmë dhe rrisim besimin tonë me ju”, ka thënë Haziri, në këtë mesazh.
Sipas tij, LDK konfirmon se nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës. Madje, as me ndërmjetësues nuk do të ulen në tavolinë me ta.
Haziri tha se sovrani nuk i dha askujt legjitimitet ta formojë qeverinë, përkundër festive partiake. “Ne vazhdojmë punën tonë në çdo sfidë”, ka thënë ai.
“Uroj që Gjilani të ketë më shumë deputetë në Kuvend dhe të punojnë për Republikën e Gjilanin. Gjilani, nga nesër i kthehet punës, pastrimit nga posterët e slloganet zgjedhore, për ta normalizuar punën e qeverisjes lokale, duke e ruajtur besimin e mbi 60 për qind tuajin për punët komunale”, thuhet në mesazhin e kryetarit Haziri.