Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk janë kundër dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por janë kundër vizitave të zyrtarëve serbë që nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Prandaj, ka thënë Haziri, “më së miri do të ishte që askush të mos përzihet në zgjedhjet lokale, që mos të lejohen jabanxhinjtë të hyjnë brenda”.Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka deklaruar se zyrtarët e lartë serbë të Beogradit do të vijnë në Kosovë t’i bëjnë presion komunitetit serb për ta ruajtur partneritetin e qeverisjes së pakicës në Kosovë.
Sipas Hazirit, për këtë qëllim kryeministri Thaçi do ta shfrytëzojë edhe ardhjen e kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Rexhep Taip Erdogan.
“Ata do të vijnë të punojnë me komunitetin serb për ta ruajtur partneritetin e qeverisjes së pakicës në Kosovë. Pritet që edhe kryeministri turk Erdogan të vijë në Kosovë dhe ta rehatojë pakicën turke. Kështu që, si duket krejt botën e ka ngritur në këmbë për të ardhur në Kosovë dhe për t’ia kryer punët në zgjedhjet lokale. Por, më së miri do të ishte që askush të mos përzihet në zgjedhjet lokale, pra mos të lejohen jabanxhinjtë të hyjnë brenda”, është shprehur Haziri.