(2L ONLINE) – Nën organizimin e Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri është takuar sot me kryetarët e zgjedhur të Këshillave të fshatrave.
Në takim ka marre pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku Rexhepi, kryesuesi i Komisionit Komunal Avdyl Aliu si dhe përfaqësues nga organizata “Agro-Eko”.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar OSBE-në për ndihmesën e vazhdueshme që i jep Gjilanit në aspektin e realizimit të këtyre objektivave, në përgatitje e trajnime, në shkëmbim të përvojave, duke falënderuar poashtu edhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen në themelimin e Këshillave të fshatrave.
Kreu i Gjilanit ka theksuar se për Komunën është me rëndësi të veçant që të ketë lidhshëmri dhe komunikim me qytetarët e saj përmes mekanizmave të Këshillave të fshatrave, e jo prej mekanizmave të partive politike.
“Më lejoni t’ju uroj për zgjedhjen në krye të Këshillave të fshatrave tuaj. Do të vazhdojmë me kulturën e njejtë në mënyrë që të mbulohet cdo vendbanim sipas rregullores të miratuar më herët nga Kuvendi Komunal dhe natyrisht tendenca është që të zgjerohen këto dhe cdo vendbanim të mbulohet në mënyrë që të ketë përfaqësues legjitim karshi institucioneve, jo vetëm Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Komunës, por edhe karshi institucioneve tjera, donatorëve, partnerëve. Këshilli përfaqëson interesin e qytetarëve, qoftë ai interesi i përfaqësimit për zhvillim apo për nevoja të projekteve dhe programeve të ndryshme dhe natyrisht që lidhet ngushtë edhe me zhvillimin e infrastrukturës”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së, Ulrich Biffar, tha se duhet të ndyshohet logjika e njerëzve se ‘zgjedhjet kanë përfunduar dhe ndikimi ne nuk kemi më ndikim të Komuna’.
“Duhet të sqarohet se kjo është demokracia që brenga e qytetarëve nuk vije në shprehje vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por në mënyrë permanente ata mund të kenë rol në vendimmarrje”, ka thënë Biffar.
Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se ka parë nga afër punën e shkëlqyeshme të organizatës “Agro-Eko” dhe Komisionit Komunal në fshatin Velekincë, duke u zgjedhur ky Këshill në mënyrë demokratike me anë të procesit rë votimit.
“Formimi i Këshillave është shumë i rëndësishëm sepse përfaqëson interesat e fshatrave, sa i përket investimeve dhe shërben si urë lidhëse me Komunën Gjilanit”, është shprehur zonja Bunjaku-Rexhepi.
Kryetari i Komisionit Komunal, Avdyl Aliu tha se tashmë jemi në përmbyllje të pilot-projektit me Ambasadën Amerikane në formimin e dhjetë këshillave lokale, ku Ambasada ka dhënë vlerësim shumë pozitiv për këtë proces.
Përfaqësuesja e organizatës “Agro-Eko”, Shadije Rexhepi, është shprehur se me vetë faktin se në këtë proces kanë marrë pjesë 1539 persona, tregon për dëshirën e qytetarëve për të qenë pjesë aktive në vendimmarrje dhe për suksesin e këtij procesi.
Ndërsa, Rina Ahmeti, kryetare e Grupit të Grave të Gjilanit ka përgëzuar punën e Komisionit Komunal për këtë çështje, ndërsa ka premtuar se do të punoj që zëri i gruas të dëgjohet më shumë në çdo proces të rëndësishëm. /2L ONLINE/