(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar nga drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi, kanë shpërndarë sot katër karroca elektrike, të cilat janë donacion i vëllezërve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër: Nexhat dhe Jashar Zymberi.
Me këtë rast, kryetari i Komunës Lutfi Haziri ka thënë se për të është një nderë i veçantë që në emër të Komunës së Gjilanit po i ndanë këto karroca, të cilat do t’i ndihmojnë qytetarët që në qarkullimin, qasjen dhe ecjen e barabartë me ne.
“Për mua sot është një nderë i veçantë që sot në emër të donatorit, në emër të dy vëllezërve Zymberi, Nexhatit dhe Jasharit që jetojnë dhe punojnë në Cyrih të Zvicrës dhe përmes vëllait të tyre Murselit, sot kanë kërkuar që Komuna t’i përzgjedhë dhe t’i ndaj katër karroca elektrike për katër qytetarë tanë që u ndihmon në qarkullimin, në qasjen dhe në ecjen e barabartë me neve. Duke i falënderuar në veçanti donatorët, jam i nderuar që sot si kryetar i Komunës t’i ndajë karrocat për përfituesit e parë: Ruzhdi Musliun, Arbenita Poroshticën, Avdyl Ibishin dhe Demush Vokshin, por do të punojmë që edhe ne si Komunë nga buxheti ynë edhe me mbështetjen e donatorëve t’ju ndihmojmë”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar se shenjëzimi horizontal ka filluar në qytet, është bërë edhe staza për biçikleta dhe për njerëz me nevoja të veçanta, në mënyrë që të mos kenë pengesa në trafik dhe në qarkullim.
“Kjo është një ditë e mirë për këta katër qytetarët tanë që kanë përfituar këto karroca elektrike, të cilët i uroj nga zemra”, ka përfunduar kryetari Haziri. /2L ONLINE/