Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka mbajtur sot një takim pune me komisionerët dhe vëzhguesit e partisë të cilët janë angazhuar në ditën e zgjedhjeve më 8 qershor.
Përpos komisionerëve dhe vëzhguesve, në këtë takim ka marrë pjesë kryetari i Degës, Lutfi Haziri, si dhe pesë kandidatët për deputet nga radhët e LDK-së në Gjilan: Lirije Kajtazi, Murat Hoxha, Naim Behluli, Sabit Rrustemi dhe Fatmir Rexhepi.
Kryetari Haziri tha me këtë rast se komisionerët dhe vëzhguesit e LDK-së e kanë kryer punën në mënyrë brilante në zgjedhjet lokale, duke qenë gardianë të mbrojtjes së votës, ndërsa tha se kështu duhet të vazhdohet edhe në këto zgjedhje parlamentare të 8 qershorit, të cilat janë historike. Ndërkohë, një takim tjetër pune do të mbahet sonte në lagjen “Dardania”, në ora 20:00.
Për të nderuar viktimat e tragjedisë në Obiliq, kryetari Lutfi Haziri ka shpallur të mbyllur fushatën elektorale në Gjilan, me rekomandim të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Me këtë rast, kryetari Haziri i ka shprehur ngushllimet më të sinqerta familjeve të të vdekurve, ndërsa të lënduarve u ka dëshiruar shërim sa më të shpejt.