Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Indrustrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany, ku u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit mes Gjilanit dhe këtij institucioni, në favor të zhvillimit lokal ekonomik.
Kryetari Haziri e ka falënderuar z. Sarkany vizitën dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit në shumë fusha.
“Kultura, përvoja dhe dija e zvicranëve është jetike dhe është në interes të Kosovës dhe Gjilanit për zhvillimin ekonomik, zhvillimin e industrisë dhe zhvillim të shërbimeve. Ne u munduam që së bashku të gjejmë mënyrën dhe formën e bashkëpunimit duke dashur që të përfitojmë nga kjo dije dhe përvojë. Duke e ditur që një Gjilan i vogël jeton në Zvicër, është kombinim perfekt për t’i dhënë mundësi bashkëpunimit dhe zhvillimit të komunës sonë në të ardhmen”, ka thënë Haziri, gjatë adresimit para gazetarëve.
Ndërkaq, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Indrustrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany, e ka falënderuar Hazirin për pritjen dhe ofrimin e bashkëpunimit në fushat përkatëse, duke shtuar se Gjilani me modelin e kryetarit si Lutfi Haziri, e ka mundësinë që të arrijë suksese të mëdha.