(2L ONLINE) – Sahit Abazi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka thënë se e vlerëson lartë dhe për më tepër ia ka lakmi, Lutfi Hazirit të LDK-së, kryetarit të komunës së Gjilanit, për aftësitë e tija që i ka në krijimin e simbolikave në politikë dhe për gatishmërinë me u marrë me disa çështje të niveleve më të larta, por se në aspektin lokal, siç shprehet Abazi, kryetari i komunës po del një dështues i madh.
“E çmojë shumë Lutfi Hazirin, për aftësinë e tij që ka për të krijuar simbolika në politikë, është i zoti. Shembull, ngritja e dorës në ballë, ngritja e katër gishtave, simbolikë me prioritetet e proklamuara nga ai, pastaj përdorimi i shprehjeve të veçanta, si ushtarët e atij, apo këtij personaliteti, shprehja “ditët e bardha” e shprehje të tjera të veçanta, e bëjnë politikan të kalibrit nacional”, ka thënë Abazi për Portalin Informativ 2L ONLINE.
Abazi tha se po ashtu e çmon shumë Hazirin edhe për aftësinë e tij për me u marrë edhe me politika ndërshtetërore, e sidomos, thotë se e vlerëson dhe ja ka zili për çështjen e idesë për ndërrime territoresh me Serbinë.
“Dorën në zemër edhe mua më pëlqe kjo ide. Po ashtu nuk më pengon fare as që Haziri merret edhe me çështje fetare e në të njëjtën kohë konsumon edhe alkool. Le të pijë çfarë të dojë vetëm le të kryej punë”, thotë Abazi i PDK-së.
Sahit ABAZI
Ndonëse i takon një tabori krejtësisht tjetër, Abazi thotë se personalisht e çmon si një ndër figurat kryesore të LDK – së në nivel vendi. bile, siç shprehet ai, do të donte ta shihte edhe si lider të LDK-së dhe në këtë drejtim po të kishte mundësi edhe do ta ndihmonte.
Por, kur ëshët në pyetje qeverisja me Gjilanit, Abazi e kritikon rreptë Hazirin.
“Kryetari ynë i dashur as pas shtatë muajsh qysh se erdhi në krye të ekzekutivit në Gjilan nuk po arrinë me e kuptua që ka ardhur në një terren kur duhet të jetë praktik e pragmatik. Ai duhet të kuptojë se ka detyra që nga kanalizimi e deri te zhvillimi ekonomik i Gjilanit. Kaluan pra 7 muaj dhe Gjilani nuk e di orientimin zhvillimor të saj”, thotë Abazi, për të shtuar se ky politikan nacional, nuk po krijon zgjidhje praktike për njerëz të zakonshëm të Gjilanit.
Ai mendon se Haziri është akomoduar shpejtë me të qenit në pushtet në Gjilan dhe i ka harrua premtimet elektorale. Abazi në këtë kontekst ka përmendur premtimin për ulje të tatimin në pronë që në fakt vitin e ardhshëm do të rritet, ka premtuar depolitizim dhe dekoncentrim të Administratës, e po e bënë të kundërtën, derisa edhe mërgimtarët që po vijnë tani, përkundër premtimeve të Hazirit, ata janë më të pakënaqur se më parë.
Lutfi HAZIRI
“Shkalla e pakënaqësisë së qytetarëve po rritet dita-ditës dhe këtë qytetarët nuk ia kanë këtë borxh Hazirit. Përkundër, Haziri u ka borxh qytetarëve të Gjilanit të cilët dy herë e ringjallën politikisht”, thotë tutje Abazi.
Sipas tij, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri me këtë qasje që ka tani nuk po i krijon perspektivë Gjilanit. /2L ONLINE/