Në 22-vjetorin e ndarjes tragjike nga jeta të profesor Xhavit Ahmetit, Komuna e Gjilanit e ka shënuar me një minutë heshtje në orën e parë të mësimit në gjimnazit që e mban emrin e tij, për të vazhduar me homazhe tek busti në kampusin e shkollave të mesme dhe tek lapidari në Përlepnicë.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, pas homazheve ka deklaruar se është krenar që e ka njohur të ndjerin, duke thënë se një njeri i tillë nuk lind shpesh.
“22-vjetori i ndarjes nga jeta të profesiorit, shkencëtarit dhe kimistit më të madh të regjionit, jo vetëm të Kosovës dhe këshilltarit të presidentit Rugova, shënon ditën më të rëndë për gjilanasit, për Përlepnicën e për shqiptarët kudo që janë. Profesor Ahmeti ka qenë veprimtar i madh dhe besoj shumë që po të ishte gjallë, Kosova do të ishte ndryshe. Me pjesëmarrjen aktive si ministër në hije i presidentit Rugova për çështje të arsimit, por edhe si deputet i Gjilanit në Parlament, ai do të bënte shumë më shumë dhe shumë më ndryshe se ne që jemi sot gjallë. Lavdi e përjetshme jetes dhe veprës së tij”, është shprehur Haziri.