(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit është duke i hapur rrugët e arave në fshatin Llashticë, Zhegër, e Lladovë, duke i shtruar me zhavor për t’ju krijuar kushte shumë të më të favorshme bujqve..
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, i cilin shoqërohej nga drejtorët komunal, është ndarë shumë i kënaqur me cilësinë e punimeve atje, duke thënë se ky projekt po realizohet me sukses në kuadër të programit bujqësor, që është prioritet i Komunës.
“Po i hapim rrugët e arave në fshatra, në kuadër të programit të bujqësisë. Të gjitha rrugët e arave do t’i hapim. Kemi filluar programin në Llashticë, Lladovë dhe Zhegër, në mënyrë që edhe programi ynë bujqësor të lidhet me infrastrukturën, dhe njerëzit të fillojnë ta punojnë tokën dhe subvencionet e Komunës të shkojnë në vendin e duhur. Ky është damari kryesorë i jetës dhe është obligim qytetar t’i kryejmë këto punë”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se me anë të shtrimit të rrugëve të arave me zhavor, përpos kulturave lavërtare, po pretendojmë t’ju krijojmë mundësi kultivimi edhe për kulturat intensive perimore.
“Me anë të shtrimit të rrugëve të arave me zhavor, përpos kulturave lavërtare, po pretendojmë t’ju krijojmë mundësi edhe kulturave intensive perimore. Dua ta falënderoj shumë kryetarin Lutfi Haziri për mbështetjen e madhe që po ia jep sektorit të bujqësisë, e në veçanti këtij projekti. Ky projekt do të vazhdoj edhe në të ardhmen që do t’i përfshijë të gjitha fshatrat e Komunës së Gjilanit”, tha drejtori Ramiz Ramadani.
Më të gëzuarit nga ky projekt i Komunës ishin banorët e Llashticës, të cilët falënderuan kryetarin Haziri që po ua rregullon këto rrugë, për të cilat thanë se do ta kenë shumë të lehtë ta punojnë tokën e tyre.
Ky është projekti i parë i kësaj natyre në nivel Kosove. Ky projekt e përfshin Llashticën, Lladovën dhe Zhegrën, me gjatësi rreth 15 kilometra dhe përfshinë mbi 481 hektarë tokë, ndërsa vlera e investimeve është mbi 47 mijë euro. /2L ONLINE/