Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, pohoi problemet që i kanë, si partner publik, me partnerin privat në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Ecohigjiena”, që sipas të parit të komunës, partneri privat nuk po e respekton kontratën.
Siç dihet, “Ecohigjiena” funksionon sipas marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat, ku, 51 për qind i ka partneri austriak Mosser Group dhe 49 përqind, Komuna.
Haziri ka thënë, ndër tjerash, se në këtë partneritet vendimet duhet të merren bashkërisht me konsensus. Sipas tij, kemi shkelje të detyrimeve dhe rimburësim të njëanshëm të partnerit ndaj komunës. Ai përmendi çështjen e përmbaruesit që sipas tij nuk është bërë me partneritet.
Megjithatë, i pari i Komunës ka thënë se po punojnë në zgjidhjen e problemit që kanë sa i përket çështjes së “Ecohigjienës”.
“Neni 6 i kontratës me Ecohigjienën thotë se palët me marrëveshje mund ta zgjidhin problemin eventual dhe si partner publik që është Komuna, nga sot e kemi dhënë afatin prej 30 ditëve që komisionerët tanë dhe ata të partnerit privat të ulen për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë Haziri.
Ai shtoi se beson se ka potenciale profesionale që të zgjidhen problemet. Në të kundërtën, siç tha Haziri, ndërmarrja do të kthehet në pronësi qind për qind të Komunës pasi partneri privat nuk e ka respektuar kontratën.
Për këtë, Haziri tha se do të njoftohet edhe partneri privat dhe se afati prej tridhjetë ditësh pret të ofrojë zgjidhje, që partneri privat të reflektojë, pasi do ta shikojë këtë afat të dhënë, me minuta.
Haziri ka thënë se pas afatit prej 30 ditësh nuk do të tolerojnë që devidenta e komunës të mos shpërndahet drejtë dhe se interesi i punëtorëve duhet të mbrohet.