(2L ONLINE) – Kohëve të fundit janë shtuar zërat edhe në udhëheqjen e PDK-së në Gjilan që e duan një koalicion PDK-LDK, që do të qeverisë me vendin dhe se këtë po e shprehin me ngulm edhe publikisht. Ka prej përfaqësuesve të PDK-së së Gjilanit, për të cilët thuhet se janë të përfshirë direkt edhe në bisedime, për të bindur LDK-në të hyjë në koalicion me PDK.
Bile, së fundi ka zëra brenda PDK-së se njëri prej atyre që mund të luaj rol kyç në LDK, që këtë subjekt politik ta largoj nga Blloku dhe ta kthej kah PDK, është edhe vet kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, për të cilin mendohet se shumë shpejtë do të jetë edhe në krye të LDK-së. Dhe, në këtë drejtim, në PDK mendojnë se në këtë kohë duhet të jenë më strategjik dhe ta kursejnë Hazirin nga kritikat për qeverisje me Gjilanin.
Por, kreu i komunës dhe i LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri i duken qesharake këto ide dhe thotë se nuk i merr seriozisht këto zëra. Sa i përket kritikave në adresë të qeverisjes së tij me Gjilanin, atij i duken hajgare këto ide për ndonjë strategji për ta kursyer, sepse siç shprehet ai, kritika të pabazë e pa kurrfarë shije nuk po ndalen por i bëhen ditë për ditë nga adresa PDK. Ndërsa, sa i përket mundësisë që LDK të ofrohet me PDK-në, Haziri ua preu shkurt, atyre që e besojnë një gjë të tillë, duke thënë se “e ka pas kjo punë”.
“PDK-ja përherë e ka parë shpëtimin në LDK. PDK ka qejf me qenë me LDK. Por kësaj here nuk i “dhezë” më. PDK duhet të mësohet me qenë opozitë se aty e ka vendin”, ka thënë Haziri për Portalin 2L ONLINE, i bindur se blloku nuk do të thyhet dhe se do të jetë ai që do të qeverisë me vendin, duke e lenë PDK-në në opozitë. /2L ONLINE/