(2L ONLINE) – Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka paralajmëruar të hënën mundësinë e formatizimit të qeverisjes lokale. Haziri i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se ky hap nuk është diçka e papritur pasi të gjithë drejtorët kanë qenë në dijeni edhe më herët se pas 15 qershorit do të rishikohet mundësia e formatizimit të qeverisjes lokale, pasi do të shikohet performanca e tyre, do të shihen cilat janë rezultatet dhe të arriturat e secilës drejtori dhe nuk përjashtohen ndryshimet nëse vlerësohet se një gjë e tillë është e nevojshme që qeverisja lokale në përgjithësi të shtoj performancën për të mirë.
Ai ka thënë sy ky vlerësim i punëve të drejtorëve dhe drejtorive përkatëse nuk ka të bëjë me diçka tjetër, por thjesht është në kuadër të planit dinamik të kësaj qeverisje.
Përndryshe, ekipi aktual i Hazirit që kishte marrë bekimin dhe përgjegjësinë për të qeverisë me Gjilanin ka këtë përbërje: Rexhep Kadriu (AAK) – nënkryetar i Komunës, Nazmi Musa – drejtor për Arsim, Labinotë Demi-Murtezi (PD) – drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Ismajl Januzi – drejtor për Zhvillim Ekonomik -, Ramiz Ramadani – drejtor për Bujqësi. Salih Kqiku – drejtor për Buxhet dhe Financa, Sokol Haziri (AAK) – Drejtor për Shërbimeve Publike, Nazim Gagica (AAK)– drejtor i Administratës së Përgjithshme, Valon Shefkiu – drejtor për Urbanizëm, Sadudin Berisha – drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, Selver Xhelili (LR) – drejtor i Inspeksionit, si dhe Halit Rexhepi – drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, derisa drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport akoma është me ushtrues detyre në këtë pozitë është Bujar Haziri. Kjo është e vetmja drejtori, për të cilën kryetari Lutfi Haziri vlerëson se duhet ndarë në sektorë të veçantë me vije të veçanta buxhetore. /2L ONLINE/