Në 19-vjetorin e Betejës së Zhegocit, nisi ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Konqul, e ku ndër tjerash, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se nuk ka pasur ditë më të mirë për fillimin e këtij projekti gjigant, sesa në shënimin e përvjetorit të madh të Betejës së lavdishme të Zhegocit, në të cilën u vranë 8 ushtarë të luftës çlirimtare dhe 18 civilë.
Lexo edhe: Autorruga që lidh Gjilanin-Dheun e Bardhë, i lidh shqiptarët, ekonominë, por edhe ndjenjat!
Ai ka falënderuar qeverinë Haradinaj dhe ish qeverinë e Isa Mustafës, përkatësisht ish- ministrin Zharku, për projektimin e kësaj autostrade, projekt ky që do të krijoj zhvillim të hovshëm ekonomik për gjilanasit dhe Anamoravën në përgjithësi.
“Nuk është rastësi që autostradën e kemi çu deri në Konçul sepse Kosova Lindore bashkë me Malësinë e Gollakut përbëjnë 30 për qind e popullatës së Republikës. Ky projekt jep mundësi që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo zonë të integrohet në më pak se gjysmë ore distancë kohore, por edhe Kosovës i jep mundësi për dalje në korridorin e 10 ndërkombëtar”, tha Haziri.
“Kjo është një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe qarkullim të shkurtër për qytetarët e Anamoravës dhe për bashkatdhetarët. Së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i rrugës prej Pllakës së Dëshmorëve për Verbicë të Zhegocit për t’u lidhur me Lipjanin. Ky projekt është po aq i rëndësishëm sa autostrada, e cila do t’ua lehtësoj jetën këtyre banorëve që janë kontribuues të mëdhenj të lirisë. Urime kjo ditë e madhe dhe lavdi të gjithë dëshmorëve”, ka thënë Haziri.