Eurodeputetja gjermane Doris Pack e sheh si zgjidhjen e duhur koalicionin PDK-LDK. Por kështu nuk mendojnë zyrtarët e LDK-së. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Lutfi Haziri thotë se koalicioni ‘guns n’ roses’ siç e quan ai, ka përfunduar në vitin 2010, për shkak se u pa që nuk mund të funksionojë. Eurodeputetja Pack shprehet e brengosur që LDK-ja kërkon partneritet nga Vetëvendosje, por Lutfi Haziri thotë se nuk ka asnjë arsye që mos të punohet edhe me partinë e Albin Kurtit.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partneriteti me PDK-në e Hashim Thaçit është i pamundur, ndonëse eurodeputetja gjermane, Doris Pack një koalicion të tillë e konsideron si zgjidhjen më të mirë. Anëtari i kryesisë LDK-së, Lutfi Haziri thotë se edhe eurodeputetja Pack, e di se koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së në vitin 2010, është prishur për shkak të mosfunksionimit.
“Zonja Pack e ka dhënë qëndrimin e vetë, që unë e respektoj. Koalicioni LDK-PDK ka qenë në fuqi dhe është ndërprerë njëanshëm nga LDK-ja. Nuk duhet harruar ky fakt. Këtë fakt edhe zonja Pack e di. Prishja e njëanshme e koalicionit ‘guns n’ roses’ nga ana e LDK-së duhet të shihet si momentum kur është divorcuar politikisht koalicioni i madh në Kosovë për shkak të mosfunksionimit”, tha nHaziri për Radio Kosovën.
Sipas Lutfi Hazirit, nuk është pengesë që edhe me Vetëvendosjen të bisedohet për partneritet.
“Pse jo? Vetëvendosje është forcë politike parlamentare, forcë politike me ideologji të qartë dhe me kërkesa të qarta. Deri tash është punuar në parime programore dhe në angazhime të përbashkëta. Po punohet më shumë në pikat që përafrojnë sesa në pikat që ndajnë”, u shpreh Haziri.