(2L ONLINE) – Shtabi i Emergjencës i Komunës së Gjilanit po vazhdon t’u dalë në ndihmë banorëve të lagjeve të qytetit, disa nga shtëpitë e të cilëve janë vërshuar sot pas reshjeve të jashtëzakonshme të shiut në mesditë.
Për të parë nga afër gjendjen në këto lagje të prekura të qytetit, në këto orë të vona po qëndron kryetari I komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe të gjitha instancat komunale.
Me këtë rast, kryetari Haziri i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë Gjilanin nga fondi i saj emergjent, për të sanuar dëmet në ekonomitë familjare, të bizneseve dhe bujqësinë.
Kreu i Gjilanit theksoi se situata është nën kontroll, duke shtuar se do të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara shumë shpejt.
Haziri ka demantuar shkrimet e disa medieve të cilat kanë shkruar se “uji i kanalizimit ka dalë në sipërfaqe”, duke thënë se ai është ujë i shiut që është grumbulluar gjatë ditës.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, njëherit udhëheqës i Shtabit të Emergjencës, ka thënë se gjendja po stabilizohet gradualisht pasi Komuna e Gjilanit është duke e larguar ujin nga bodrumet e shtëpive në shtatë pika të qytetit me pompa thithëse.
Koncentrimi maksimal është tek lumi “Baja” pasi aty akoma vazhdon të ketë ujë në bodrumet e shtëpive të qytetarëve.
Ai tha se bashkëpunimi me qytetarët është shumë i mirë dhe ata janë të kënaqur me intervenimin e Komunës sepse janë aktivizuar të gjitha kapacitetet dhe resurset e komunale.
Apelohen të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme të lajmërohen në numrat e emergjencave: 193, 112, 194 dhe 192 dhe menjëherë shtabet emergjente do të intervenojnë.
Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë ditës së sotme, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka urdhëruar menjëherë të gjitha instancat komunale duke aktivizuar të gjitha shtabet emergjente që përfshinë Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Emergjenca, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe organet e tjera, për të menaxhuar sa më mirë dhe me efikasitet gjendjen pas reshjeve të mëdha të shiut. /2L ONLINE/