Nën organizimin e OSBE’së, në Gjilan është mbajtur të enjten takimi me kryetarët e komunave të regjionit me temen “Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe strehimoreve të dhunës në familje”.
Gjatë adresimit në këtë tryezë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se në këtë komunë viteve të fundit nuk është rritur dhuna në familje, por është rritur raportimi për dhunën në familje.
“Efekti i madh që është bërë në Gjilan është Mekanizmi kundër dhunës në familje, ku strehimorja “Liria” ka pasur rol shumë të madh aty, sespe pas takimeve të vazhdueshme që janë bërë me akterët e të gjitha institucioneve, ka ndikuar që viteve të fundit nuk është rritur dhuna në familje, por është rritur raportimi për dhunën në familje, është rritur kontrolli i policisë në këto raste. Është moment i mirë që para miratimit të buxhetit të Republikës të zgjidhet ky problem njëherë e përgjithmonë me ndihmën edhe të OSBE, duke kategorizuar dhe duke ua njohur statusin e strehimoreve me kode buxhetore”, ka thënë Haziri.
Ai pohoi se deri para dy vitesh ka qenë në vullnet të Komunës për të ndar mjete për të stabilizuar funksionimin e strehimoreve, ndërsa rregullorja e re për ndarjen e mjeteve e ka minimizuar mundësinë përmes thirrjeve publike, pasi që mjetet e pakta që i kanë në dispozicion Komuna, hyjnë në një konkurrencë të ashpër mes OJQ-ve.
“Për strehimoren “Liria” jemi duke e ndërtuar objektin e ri, në të cilin do të mbrohen në mënyrë të dinjitetshme nënat dhe fëmijët, të integrohen në arsim fillor e në jetën sociale, në kuadër të fshatit social dhe siguria do t’u garantohet në cdo aspekt. Përgjegjësia do të bartet tek menaxherët e strehimores, në mënyrë që t’i trajtojë në baza ditore, edhe statusin e edhe buxhetin, ku përvec shërbimit profesional, do të ketë edhe aspekte tjera si këshilla nga psikologu, ushqim etj,, për një banim më afatgjatë”, tha Haziri.
Anesa Silyavska, këshilltare për të drejtat e njeriut në kuadër të OSBE, tha se sot po e diskutojmë një çështje mjaftë të ndjeshme, e cila ka qenë si debat afatgjatë.
“Çështja e financimitt të strehimoreve për gratë dhe fëmijët është shumë e rëndësishme. Strehimoret, puna që bëjnë, ndihmojnë gratë dhe fëmijët që të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme që kanë qenë. Për gjashtë muajt e parë të vitit, 330 viktima të dhunës në familje kanë gjetur mbështetjen nga strehimoret. Ato kanë nevojë për mbështejten, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri për të ardhmen e tyre. Ligji do të duhej ndryshuar sa i përket financimit dhe deri të bëhet kjo duhet të gjejmë një zgjidhje të mbështetjes nga komunat për strehimoret”, ka deklaruar Silyavska.
Në këtë takim u theksua fakti i jashtëzakonshëm se falë mbështetjes së Komunës së Gjilanit, roli i strehimores“Liria” është njohur edhe në Washington DC.