Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur të premten debat me qytetarë, ku së bashku me nënkryetarin Arbër Ismajli si me drejtorët e sektorëve përkatës, ka prezantuar sukseset dhe sfidat e qeverisjes së tij në gjashtëmujorin e parë të këtij, si dhe ka shpalosur synimet për gjashtëmujorin e dytë.
Kryetari Haziri ka thënë se kjo do të jetë një qeverisje shumë më agresive në krahasim me mandatin e kaluar, sa i përket realizimit të prioriteteve, duke i rikujtuar drejtorët se tashmë ka kaluar gjysma e afatit prej 100 ditësh, kur do të bëhet vlerësimi i punës së tyre dhe për ata që nuk i kanë realizuar objektivat, nuk do të ketë vazhdim të mandatit.
“Në këtë mandat nuk do të ketë kompromise. Ata që nuk i kryejnë detyrat, duhet t`i lirojnë pozitat e drejtorit”, ka thënë kryetari Haziri, duke shtuar se Gjilani ka ngelur mbrapa në krahasim me regjionet tjera dhe tani duhet të punojë dy herë më shumë për t`i realizuar programet e veta.
Përndryshe, kryetari Haziri ka prezantuar katër prioritet e tij, në debatin e parë publik për sivjet, që është mbajtur në sallën e tetarit të qytetit, para një numri të madh qytetarësh, duke nënvizuar arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën rrugore dhe familjen.
Në arsim, si njëri nga këto prioritete, është e nevojshme të bëhet një reformim i normave, si problem i trashëguar, sepse arsimi është mision dhe jo vend për punësime të padrejta, pastaj duhet një reformim i profileve, për t`i përshtatur ato me nevojat e tregut, meqë është e pakuptimtë të prodhohen kuadro që nuk përshtaten me këto nevoja. Panairi i punës, që u organizua para pak ditësh në Gjilan, tregoi se nevojat më të mëdha janë për teknikë të ndërtimtarisë, bujqësi dhe shërbime të ndryshme. Shkollimi duhet të përshtatet me nevojat e tregut, ka thënë Haziri.
Në shëndetësinë primare, si prioritet i dytë, kemi më pak punë. Duhet plotësuar nevojat për infrastrukturë dhe personel, ndërkohë që do të punohet me përkushtim maksimal për t`i ofruar deri në fund pesë shërbimet primare në këtë nivel të shëndetësisë.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, si njëri nga prioritet tjera, që nga autostrada e deri te rrugët lokale në fshatrat më të largëta, përfshirë edhe infrastrukturën nëntokësore, do të ketë një barazi sa i përket investimeve qytet-fshat, duke e ndarë buxhetin 50 me 50 për qind.
Prioriteti i katërt është familja, e cila do të subvencionet me fonde në programet bujqësore dhe zhvillim lokal ekonomik, ka thënë Haziri.
“Pa dyshim se për ne, të rëndësishme mbeten edhe programet tjera, që janë nën kujdesin tonë, dhe që realizohen në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët e huaj, të cilët vazhdojnë ta mbështetin financiarisht Gjilanin, si qytet të preferuar prej tyre”, ka thënë kryetari Haziri.
Sa iu përket të hyrave vetanake, ku Komuna mbështet shumë, kryetari Haziri ka paralajmëruar masa detyruese ndaj atyre që nuk i kryejnë obligimet e veta, ndonëse këtë e ka quajtur një vendim të vështirë për të, sikurse do të bëhet edhe publikimi i listës së uzurpatorëve, nëse personat e tillë, urgjentisht nuk vijnë për të zgjidhur problemet ose për hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Komunën.
“Deri në nëntor do të punojmë shumë për t`i mbledhur borxhet e tatimit në pronë, ndërsa prej 1 nëntorit nuk do të ketë më tutje tolerancë dhe do të jemi të detyruar t`i angazhojmë përmbaruesit për t`i arkëtuar 7 milionë euro borxhe”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka paralajmëruar edhe veprime tjera të nevojshme, për të vënë rregull në shfrytëzimin e hapësirave publike dhe të tjera.
Ndërkaq, sa i përket kërkesave për ndërprerje të punimeve në disa rrugë gjatë muajve të verës, kryetari i Komunës ka thënë se i vjen keq prej bashkatdhetarëve, por ndërprerje nuk do të ketë sikurse viteve tjera, sepse po humbet shumë kohë dhe pastaj po shkaktohen vonesa në realizmin e projekteve dhe cilësinë e tyre.
Përndryshe, kryetari Haziri, së bashku me drejtorët e tij, është përgjigjur edhe në pyetjet konkrete të Agim Salihut, Fatmir Shurdhanit, Shaban Terziut, Xhemail Berishës, Rexhep Sejdiut, Musli Matoshit, Naim Sherifit dhe të tjerëve, ndërkohë që i ka ftuar të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit që të bëhen pjesë e muajit të gjelbër, për të kontribuar në largimin e mbeturinave dhe pastrimin e ambientit, duke thënë se pastërtinë e qytetit duhet ta konsiderojmë edhe çështje patriotizmi.