(2L ONLINE) – Është mbajtur një koncert solemn në shënim të 7 – vjetorit të pavarësisë së Kosovës, nën organizimin dhe përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ku kishte një pjesëmarrje shumë të madhe në Teatrin e Qytetit.
Me këtë rast në fjalën e tij, kryetari Haziri ka uruar që pavarësia e Kosovës dhe ky përvjetor të jenë liri, pavarësi dhe zhvillim e progres për të gjithë popullin shqiptarë kudo që jetojnë, duke e ndarë këtë urim në emër të qytetit të Gjilanit.
“Në emër të qytetit të Gjilanit i uroj të gjithë gjilanasit për 7 – vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kudo që ata jetojnë. Pavarësia e Kosovës ishte sublimim i kërkesës popullore dhe i kërkesës politike të kohës për të realizuar synimin e drejtë të shqiptarëve në Ballkan. Ne nuk do të ndalemi, por do të vazhdojmë punën për realizimin e amanetit të baballarëve tanë, të stërgjyshërve tanë, të gjithë atyre që sakrifikuan, që u përpoqën dhe me sakrificën, rezistencën e tyre, na mësuan neve që të mos e durojmë padrejtësinë, okupimin, pabarazinë, dhunën e terrorin”, tha kryetari Haziri.
Ai ka ndarë me të pranishmit kujtimin e tmerrit të masakrës së Gjilanit, e cila ndodhi pas kryengritjes së madhe për liri dhe barazi, ku humbën jetën mijëra qytetarë të cilët janë poashtu themel i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës e deri në organizimin e luftës çlirimtare të UÇK-së e cila është vula e shtetit të sotëm të Kosovës.
“70 – vjet më parë burra e gra, nga Gollaku, Kradaku, ana e Moravës e gjetiu, u ngritën për qëllim të vetëm lirinë dhe barazinë në trojet e tyre, duke sakrifikuar jetën dhe familjet e tyre. Ndërsa ne këtë vit e kemi shpallur vit të 70 vjetorit të masakrës së madhe të Gjilanit të cilët të udhëhequr dhe nën komandën e Mulla Idriz Gjilanit, i cili është pasuesi më i madh i Idriz Seferit dhe i kryengritësve të vitit 1911 – 1912, për të vazhduar deri në luftën çlirimtare të UÇK-së, të kësaj lufte të lavdishme, që sublimon përfundimisht kërkesën e popullit të Kosovës për liri. Ky 7 – vjetor duhet t’i atribuohet doemos të gjithë atyre që kanë dhënë jetën deri më tani, me përkulje dhe nderim për të gjithë heronjtë e martirët, të cilët sot nuk janë me ne por do të mbeten rrugë e trasuar dhe shumë e sigurt për ecjen tonë drejt përmbushjes së amanetit të tyre”, potencoi kryetari Haziri.
Haziri, poashtu ka spikatur edhe punët dhe sfidat që ka Kosova për të përballuar gjatë të ardhmes, e të cilat janë të vështira dhe normalisht duan një përkushtim të përbashkët dhe kontribut nga të gjitha sferat.
“Ky shtatë vjetor është përvjetor i përkujtimit dhe jo ditë e lavdisë. Kjo ditë na obligon ne të gjithëve të punojmë më shumë, që të ndalim të gjitha ato lëvizje të qytetarëve tanë të largimit ilegal nga ky vend. Duhet të punojmë për kthimin e vullnetit dhe të jetës në Republikën tonë, të kthejmë besimin në qytetin tonë, sepse ne kemi mundur të mbajmë jetën gjallë edhe në ditët më të vështira. Në kohët më të vështira të gjithë bashkërisht kemi penguar e thyer planet, idetë dhe dëshirat e okupuesve për boshatisjen e Kosovës, sepse e kemi dashur dhe kemi punuar deri në çlirim të vendit për atë që ne të jetojmë, veprojmë, zhvillojmë e ndërtojmë gjithçka në vendin tonë. Bashkërisht ne mund t’i bëjmë festat të mëdha, por gjithnjë duke nderuar dëshmorët, martirët dhe të rënët për lirinë e vendit të cilën sot të gjithë bashkërisht po e gëzojmë”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, duke bërë thirrje që të festojmë e punojmë bashkë, që shqiptarët të jetojnë të bashkuar në Europën e bashkuar që aq shumë e kanë dashur dhe aq shumë kanë luftuar për këtë Europë, prandaj ti kthehemi punës në Kosovë që të dëshmojmë se ne jemi vërtetë Europë duke qëndruar këtu.
Ndryshe kryetari Haziri ka përmendur dy figurat pa të cilat nuk mund të mendohet festa, ai ka thënë se pa punën e madhe politike, intelektuale dhe ideatore të presidentit historik Ibrahim Rugova dhe pa rezistencën dhe kushtrimin e komandantit legjendar Adem Jashari nuk do të kishim mundësinë të festojmë sot. /2L ONLINE/