(2LONLINE) – Akademia Europiane e Arteve me seli në Paris ia ka ndarë diplomën “Pllaka e nderit” kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për arritjet në fushën e kulturës edhe sa ishte ministër i Kulturës, por edhe si promotor i shumë zhvillimeve në Kosovë.
Çmimin ia ka ndarë piktori Jetullah Haliti, i cili është kryetar i seksionit shqiptar të Akademisë Europiane të Arteve me seli në Paris.
“Është nderë i veçantë, jo vetëm për kryetarin e Gjilanit Lutfi Haziri, por për tërë Kosovën dhe kombin shqiptarë, që Europa po na pranon në art, letërsi e kulturë në përgjithësi. Kryetari ynë i nderuar ka dhënë kontribut në shumë nivele, edhe si ministër i Kulturës, si lider e njëherit si promotor i shumë lëvizjeve në Kosovë”, ka thënë me ketë rast z. Jetullah Haliti.
Kryetari Haziri ka falënderuar z. Haliti për ndarjen e çmimit, duke thënë se është shumë i lumtur që është nderuar me diplomën “Pllaka e nderit” nga Akademia Europiane e Arteve, me të cilën më parë është nderuar edhe Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Akademia Europiane e Arteve është institucion jashtëzakonisht kredibil dhe i respektuar në Europë e në botë. E falënderoj këtë institucion për këtë nderë që ma kanë bërë dhe jam shumë i lumtur që e marrë këtë diplomë pas presidentit Ibrahim Rugova. Ky çmim është nderë dhe në të njejtën kohë edhe përgjegjësi më e madhe për mua”, ka thënë kryetari Haziri. /2lonline/