/2L ONLINE/ – Sokol Haziri, kuadër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosova (AAK), që aktualisht drejton drejtorin e Shërbimeve Publike në Gjilan, ka paralajmëruar mundësinë e braktisjes së këtij subjekti politik. Ai duket të jetë i pakënaqur me zhvillimet brenda partiake sa që thotë se është ka e shqyrton seriozisht mundësinë e largimit.
Haziri, që ka qenë edhe anëtar i kryesisë qendrore në mandatin e kaluar, tani nuk është përfshirë në kryesinë e re. I pyetur nga Portali 2L ONLINE, lidhur me lënien e tij jashtë kryesisë së re të AAK-së, ai thotë se nuk e ka as idenë pse nuk është përfshirë në kryesinë e tanishme.
“Nuk e kam fare idenë pse nuk jam më anëtar i kryesisë qendrore edhe pse realisht jam njëri nga themeluesit e kësaj partie, dhe jo vetëm në nivelin lokal. Kjo reflekton sepse partia është interes reciprok pari-individ dhe me që u pa interesimi i palës tjetër, atëherë vendimet për të ardhmen time politike do i ndërmarrë pa u ndikuar nga askush”, ka thënë për 2L ONLINE, Sokol Haziri.
Sipas tij, lideri i partisë paska menduar se emrat e rinj në kryesinë e re mund t’i shërbejnë më shumë partisë dhe kjo mbetet të shihet, por shton se atij i vije mirë që qenka pjesë e reformave në AAK!
Për më tepër, Haziri tha se tani në këtë fazë, as që do të pranojë çfarëdo bisede, me askënd, lidhur me këtë çështje të cilën e trajton tashmë më të mbyllur. Haziri ka paralajmëruar kështu se të gjitha opsionet për të ardhmen e tij politike janë të hapura dhe të mundshme duke përfshirë në rend të parë braktisjen e AAK-së, por edhe hapat pasues.
I pyetur sa i përket mundësisë për t’u shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Sokol Haziri tha se kjo nuk i bënë përshtypje edhe po që se ndodh sepse kreu i komunës Lutfi Haziri e ka këtë të drejt ligjore e politike dhe mund të merr çfarëdo vendimi, që ai do ta respektojë, por se rikujton se kjo drejtori ka pas shumë rezultate pozitive që janë njohur edhe nga vet kreu i komunës dhe se përgjatë gjithë kësaj kohe ka punuar me përgjegjësi të lartë politike e qytetare duke qenë në shërbim të qytetarëve.
“Tërë jetën time kam punuar sinqerisht dhe me përkushtim maksimal si në parti si në institucionet ku kam pas përgjegjësi. Gjatë gjithë kohës sa jam tani edhe drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike nuk kam qenë rob i partisë politike, por i kam shërbyer qytetarëve pa dallim“, ka thënë Haziri, për të shtuar se është vetëm njëri ndër të pakënaqurit me zhvillimet brenda AAK-së duke paralajmëruar kështu se do të ketë zhvillime të reja brenda këtij subjekti politik në këtë drejtim.
Përndryshe, në Gjilan AAK-ja është partnere më e madhe e LDK-së, që bashkëqeverisin me Gjilanin. Në kuvendin komunal ajo ka katër anëtarë nga 35 sa ka gjithsej Kuvendi i Gjilanit. /2L ONLINE/