Në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, janë shpallur sot fituesit e konkursit për skulptura monumentale, të cilat komuna e Gjilanit do t`i vendos në hapësirat publike.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, tha se komisioni ka bërë një punë të mirë me përzgjedhjen e veprave artistike për skulptura që simbolizojnë, prej gruas e deri te gurbetçarët, duke e ditur se Gjilani ka numër të madh të popullatës së vetë jashtë vendit.
‘Jam i impresionuar me punën e artistëve dhe mezi po pres që t`i shoh të realizuara këto skulptura, sepse Gjilani ka merituar kaherë që t`i ketë këto vepra dhe ja tani po vjen koha me i vendos në vendin e vet këto figura që janë pjesë e historisë dhe të ardhmes sonë dhe që qytetit i japin vlerë”, ka thënë Haziri.
Erson Zymberi, kryetar i komisionit, tha se për monumentin e gruas “Heroina e qytetit” është përzgjedhur punimi i Butrint Morinës.
Për monumentin “Gurbetçari” janë përzgjedhur dy punime, me autor Sali Musliu dhe Rexhep Arifi.
Për monumentin “Sportisti” që u dedikohet të gjithë sportistëve, është përzgjedhur punimi i Sali Musliut.
Për monumentin ,,Drama shqipe” dedikuar teatrit të qytetit, punimi i autorit Bekim Korça.
Për monumentin kushtuar ‘Tolerancës dhe paqes’ që u dedikohet qytetarëve të Gjilanit të cilët i karakterizon toleranca, mirëkuptimi dhe traditat, është përzgjedhur punimi i Kushtrim Beqirit.
Komisioni ka qenë i përbërë nga: Erson Zymberi, Qamil Llapashtica dhe Miradije Shahiqi Maliqi. /2LONLINE.com/