(2LONLINE) – Kryetari i ri i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe ish kryetari i komunës Qemajl Mustafa kanë shtrënguar duart në aktin formal të dorëzim pranim të detyrës së kryetarit të komunës. Me këtë rast , ish kryetari Mustafa ka thënë se ky akt shënon përfundimin e një mandati dhe fillimin e një mandati të ri. Mustafa ka thënë se kjo është demokracia dhe se vlerë e saj janë rotacionet, ndërrimet e rifreskimet në sferën politike e shoqërore.
Ai i ka uruar Hazirit punë të suksesshme në mandatin e tij duke u ofruar bashkëpunues, e duke thënë se eksperienca e tij dhe e stafit të tij, që ishte përgjatë këtij mandati që po përfundon sot, është e gatshme nëse kryetari i ri ka nevojë për këtë.
Mustafa ka thënë do të jenë të organizuar si opozitë, plotësisht analizuese, konstruktive dhe kontributdhënëse për të mirën e Gjilanit dhe qytetarëve të saj.
Nga ana e tij, kryetari i ri i Gjilanit, Lutfi Haziri ka falënderuar ish kryetarin e komunës dhe ekipin e tij për angazhimet që i kanë pas përgjatë mandatit të tyre, ndërsa ka thënë se parimi i kontinuitetit është kulturë politike e tij andaj kjo edhe tani do të vlejë. Do të vazhdojnë pjesa më e madhe e projekteve të kryhen, ndërsa për ato që ka nevojë do të ketë revidim.
Haziri tha se është për bashkëpunim sepse Gjilanit i nevojitet uniteti politik pasi në nivel të përgjithshëm ka qenë e diskriminua kjo komunë, sidomos kur janë në pyetje investimet kapitale.
Ai tha se shërbyesit civil dhe zyrtarë të tjerë nuk duhet ta shohin këtë ditë si një ditë e ndryshimit të madh për ta, por si ndërrim që solli forca e demokracisë dhe se duhet të vazhdohet të punohet së bashku.
Përndryshe , në agjendën e kryetarit të ri për sot janë paraparë takime të shumta por pritet edhe emërimi i ushtruesve të postit të drejtorëve në Drejtorive Komunale. / 2lonline/