Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë diagnostikuar edhe 9 raste të reja me koronavirus në Gjilan. Sipas kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nga 28 mostra sa ishin marr sot për tu testuar, 9 rezultuan pozitiv si pasojë e kontaktit me rastin e mbrëmshëm të një punëtoreje shëndetësore, banore e Gjilanit, por që punon në një spital privat në Prishtinë, e që kishte rezultuar pozitive.
Infeksioni pastaj është bartë te familjarët e saj, që u konstatua sonte, e po ashtu është shpërndarë edhe te tre punëtorë të Repartit të Pediatrisë të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, pasi që njëra nga familjarët e prekur është punëtore e këtij reparti., transmeton 2LONLINE.com
Haziri ka thënë se përfshirë edhe rastin e mbrëmshëm të gjitha këto 10 raste janë në Gjilan, pra nuk ka në Livoç të Epërm që u përmend nga IKSHPK, pasi që një rast vetëm me origjinë është nga ky fshat, por jeton në Gjilan. Ai tha se në pesë familje vendosen masat e karantinimit duke u vet-izoluar ato deri sa të vije vendimi i ministrit të shëndetësisë.
Sipas kryetarit të komunës, pasi që në mesin e të infektuarve janë edhe tre punëtorë të pediatrisë, do të mbyllet përkohësisht reparti i pediatrisë dhe të gjithë punëtorët e saj do t’i nënshtrohen vetizolimit, përderisa shërbimet e pediatrisë do të jepen në shëndetësinë primare, në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe alternativat tjera, transmeton 2LONLINE.com.
Haziri ka thënë se në ditët në vijim do të testohen raste të tjera, kontakte të këtyre rasteve të prekura, e për të cilat komuna do t’i ofrojë të gjitha shërbimet nga jashtë, për të cilat ata kanë nevojë deri sa ta kalojnë fazën e vetizolimin, deri në testimet e ardhshme.
Duke thënë se situata megjithatë është nën kontrroll, Haziri ka apeluar që të shfrytëzohet dalja vetëm për nevoja të domosdoshme, që të mos thyhet rregulla e të mos tolerohet shpërndarja e infeksionit.