(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët komunal ka vizituar sot kompaninë “Trocal”, e cila vlerësohet shembull i suksesit në Gjilan e në nivel të Kosovës. Kryetari Haziri u shpreh i lumtur me suksesin e treguar të kësaj kompanie, ndërsa tha se punohet për t’u dalë në ndihmë bizneseve vendore me mundësitë e Komunës së Gjilanit.
“Jam i lumtur që jam në “Trocal” për të parë shembullin e mirë të prodhimit në Gjilan. Kjo është njëra prej ndërmarrjeve që ka arritur të dalë me 30 për qind të prodhimit në eksport dhe natyrisht është lajm shumë i mirë. Ka nevojë për mbështetje më të madhe nga shteti, nga qeveria po besojmë shumë në lehtësimet fiskale që janë planifikuar të ndodhin në të ardhmen. Por, deri atëherë asnjë barrierë nuk e ka ndalur këtë kompani me qenë të suksesshëm”, tha kryetari Haziri.
Haziri ka ripërsëritur se heronjtë e Kosovës së sotshme janë pronarët që po hapin vende të punës.
“Përvec numrit të madh të punëtorëve dhe eksportit që ka arritur, të dhënat tregojnë qartë që ky aktivitet biznesor në Gjilan është shembulli më i mirë për neve, për regjionin tonë dhe për Kosovën. Heronjtë e Kosovës së sotshme janë këta njerëz dhe këta pronarë që po hapin vende të punës”, tha Haziri.
Nga ana e tij, pronari i kompanisë “Trocal” Shaban Xhymshiti, ka falënderuar kryetarin Haziri që ka gjetur kohë për ta vizituar dhe përkrahur punën e tyre, duke theksuar se kushtet në punë në kompaninë e tij janë njësoj sikurse në vendet evropiane.
“Teknologjinë e kemi prej Gjermanisë dhe jemi shumë të përgatitur në këtë drejtim”, ka thënë Xhymshiti.
Ndrësa, drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi pohoi se do të vazhdohet edhe në të ardhmen t’i vizitojmë bizneset gjilanase për të parë funksionimin e tyre dhe për t’i ndihmuar me të gjitha kapacitetet komunale, për t’ua bërë më të lehtë veprimtarinë e tyre. /2L ONLINE/