Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, ka kujtuar sot 21-vjetorin e masakrës e tmerrshme që përjetuan fshati Llashticë në vitin 1999, duke thënë se janë gjithmonë të freskëta plagët e tmerrit që kaluan banorët e Karadakut dhe gjithë regjionit.
Haziri ka thënë se përmes Llashticës kujtojnë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit dhe të gjithë të rënët në luftën për liri.
“Ky është 21-vjetori i prillit të madh, i sakrificës, torturës dhe vrasjeve barbare të masakrimit të shqiptarëve. Këtu u vra e masakrua fëmija më i vogël në luftën çlirimtare të Kosovës dhe plaka më e vjetër në moshë. Është masakra më e madhe që Gjilani dhe regjioni e ka përjetuar. Në cfardo kohe edhe tani sa po ballafaqohemi me pandeminë globale, ne do ta kujtojmë masakër si ngjarja më e frikshme e dhembjes së madhe për të gjithë ne në këtë regjion”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se kjo masakër është një plagë e hapur, pasi ende nuk ka filluar asnjë hetim.
“Shpresoj shumë në organet e drejtësisë që një ditë drejtësia të shfaqet edhe në këto vendbanime”, ka thënë Haziri.
Forcat paramilitare serbe më 13 prill të vitit 1999 kishin vrarë dhe masakruar 26 civilë shqiptarë në Llashticë të Gjilanit.