Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri, në një konferencë për medie, ka paraqitur pikëpamjet e LDK-së për Planin Zhvillimor Komunal të Gjilanit, që është plan kapital, i interesit të veçantë për zhvillim komunal dhe ndikim zhvillimor, duke absorbuar interesin e investitorëve të mëdhenj.
Haziri ka thënë se Planin Zhvillimor Komunal në Gjilan e kemi miratuar në shtatorin e vitit 2021, pas një angazhimi të madh të ekspertëve lokal dhe të partnerëve jashtë institucioneve komunale. Ky është një dokument i pandryshuar dhe ngecjet që kanë ndodhur kanë të bëjnë me mos zonimin.
“Asnjë hap nuk është lëvizur drejt zbatimit të detyrës së dytë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, zonimi ka impakt kryesor në përfshirjen e investitorëve banorëve dhe të gjithë të interesuarve se si do të duket lagjja, ambienti, pamja dhe e ardhmja e tyre. I vetmi zhvillim që ka ndodhur është tendenca për ta anuluar PZHK-në, ku nga dy Ministrisë e linjës është kthyer si jo e ligjshme.
Kjo tendencë e Komunës, sipas Hazirit të LDK-së, ka vazhduar fatkeqësisht me hapa të gabuar, duke vazhduar ta shkelin ligjin e duke shkaktuar edhe më shumë humbje të paarsyeshme dhe kokëfortësi, që për pasojë, ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikësim tek shumë investitorë, ndërsa ardhja e tyre për të investuar as nuk vjen në shprehje me këtë ambient.
“Tendenca e revidimit, rishikimit dhe anulimit e kësaj administrate që udhëhiqet nga VV, është logjikë e mbrapshtë. Fatkeqësisht, nga mashtrimi i madh që është lexuar tek qytetarët, po kalojmë në dëshprimin e madh. Këtë Plan, Hartën Zonale dhe projektet tjera mund t’i vononi, por nuk mund t’i ndalni. Projektet e Gjilanit që i sollëm ne me shumë punë e angazhim, nuk do të lejojmë t’i trajtoni si projekte të huaja. LDK është gardiane e mbrojtjes së projekteve që i lamë të gatshme e të buxhetuara”, ka thënë Haziri. /2LONLINE/