(2L ONLINE) – Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherit kryetar i Komunës, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot një takim të fundvitit me strukturat e Degës përfshirë kryesinë, nëndegët, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë. Takimin e ka madhështuar edhe prezenca e mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetet e Evropës, thonë zyrtarë për informim të këtij subjekti.
Në fjalën e rastit, Haziri fillimisht ua ka uruar festën e Vitit të Ri 2015 të gjithë të pranishmëve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit, ndërsa ka folur për të arriturat dhe sfidat e mëdha të qeverisjes një vjeçare me Komunën e Gjilanit, duke përmendur gjetjet lidhur me borxhet e trashëguara, mbingarkesën e stafit, problemin e banimit dhe strehimit etj.
Haziri theksoi se gjatë kësaj kohe Komuna e Gjilanit ka shlyer mbi 2 milionë euro borxhe, ka bërë projekte e investime të mëdha në sektorët më të rëndësishëm, sikurse që ka filluar t’i zgjidh problemet e qytetarëve të banimit social.
Haziri tha se gjatë kësaj periudhe e kemi thyer vëmendjen së Prishtinës si kryeqytet politik dhe administrativ dhe të Tiranës në raport me Gjilanin.
Ai tha se derisa LDK në dhjetor të vitit të kaluar ishte shpresë, në vitin 2015 është një fillim i ri për Gjilanin.
Kryetari Haziri përmendi investimet e mëdha që do të ndodhin në vitin 2015 në arsim, bujqësi, shëndetësi e sektore të tjera, për ta bërë Gjilanin brenda mandatit katër vjeçar qytet të mundësive dhe zhvillimit për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit.
Për fund, kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan dhe kryetar i Komunës, Lutfi Haziri, tha se do të punojmë shumë që Gjilanit t’ia kthejmë edhe vëmendjen e partnerëve, miqve tanë që i kemi gjetur në këto 15 vjetët e fundit, kudo që janë në Europë e Amerikë, në mënyrë që Gjilani të ketë vëmendjen e atyre qeverive siç e ka edhe sot, duke e rritur edhe më shumë kujdesin për absorbimin e fondeve më të shumta, në absorbimin e të mirave dhe mundësive që këto shtete i ofrojnë për qytetarët e Kosovës. /2L ONLINE/