Ditë më parë, Gjilanit iu shtua një i infektuar me Covid-19, por lajm i mirë, sipas kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është se kontaktet e tija pas testimit kanë rezultuar negativ.
“Lajmi i mirë për Gjilanin është që e gjithë lista e kontaktit nga personi i mbrëmshëm është negative. Ndërsa nga 21 rastet për ritestim tashmë 7 janë negativizuar dhe nesër pritet ritestimi për shërimin e tyre të plotë, derisa 14 persona vazhdojnë të mbesin në vetizolim, pa simptoma”, ka thënë Haziri, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai ka bërë me dije se po ashtu, sot ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, kishin takim me kryetaret e komunave për masat e reja për parandalimin e përhapjes se infeksionit me Covid19.
“Koordinimi ndërinstitucional me Komunat dhe roli i tyre u vlerësua shumë. Rritjen e numrit të testiemeve, përforcimin e rolit të inspektorëve shëndetësor, prezenca e rritur e policisë së shtetit dhe roli i emergjencave të Komunave dhe institucioneve shëndetësore është kritike në monitorimin e gjendjes dhe parandalimin e përhapjes se infeksionit”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, në takim, hapja e kufijve, hapja e aeroportit dhe lejimi i mbrëmjeve dhe dasmave ishte ne fokus të debatit.
“Mos prano dhe mos jep shërbime pa masa mbrojtëse, ju lutem. Mos dil dhe mos shko pa arsye të madhe askund e te askush”, ka thënë i pari i komunës ës Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE.com/