Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka reaguar qeverisë së Kosovës pasi kjo e fundit nuk ndau asnjë centë për vitin 2022 për rindërtimin e Stadiumit të qytetit.
Haziri ka thënë se kjo është goditje e qeverisë për Gjilanin, por tha se nuk do ta lejojnë këtë.
Këto komente, kryetari i Gjilanit i bëri në një konferencë për media të së shtunës.
“Mos ndarja buxhetit nga ana e Qeverisë për Stadiumin, për vitin 2022, është goditje për Gjilanin, por që ne nuk do ta lejojmë këtë. Do të punojë me të gjitha grupet politike për ta përmirësuar këtë. Nuk është buxheti i një ministri apo një qeverie, buxheti është në duar të 120 deputetëve”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, Qeveria ka treguar mungesë vullneti për mos ndarje të buxhetit edhe për dy projekte të tjera kapitale.
“Nuk është mungesë vullneti vetëm për përfundimin e stadiumit, mungon buxheti edhe për Qarkoren, e cila e lidhë qytetin e Gjilanit me Autostradën. Mungon, po ashtu, mos panifikimi buxhetor për pjesën e Autostradës nga Gllama e Bresalcit në drejtim të Konçulit. Pra, mos përfshirja për vitin e ardhshëm edhe e këtij pragrami, nënkupton për ne anashkalim buxhetor dhe mos kujdes”, është shprehur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE.com/