Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, ka thënë se me nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) shteti i Kosovës e ka zënë trenin e fundit për në Bashkimin Evropian (BE).
“Sot përfundimisht Kosova e zuri trenin e fundit. Ky është fillimi i fundit të një pritje 10-vjeçare, të cilën Kosova e ka pasur në procesin e integrimeve evropiane. Kosova po hyn në marrëdhënie kontraktuale. Tashmë jemi në pozita të negociatorëve për nevoja të përfaqësimit dhe për të drejtat e interesat e qytetarëve të Kosovës. Natyrisht se duke qenë në rrugë me një drejtim, integrimet evropiane për Kosovën janë domethënëse”, ka thënë Haziri për “Epokën e re”.
Ai ka shtuar se institucionet e vendit prioritet numër një duhet ta kenë procesin e integrimeve. “Procesi i MSA-s duhet të jetë prioriteti numër një, i vetmi dhe më i madhi, i cili duhet të fillojë sot dhe të përfundojë në afatin e paraparë në prill të vitit në ardhshëm, në mënyrë që Kosova mos të humbë nga ky proces. Edhe ashtu mbi 10 vjet jemi në pritje dhe nuk guxojmë ta humbim asnjë minutë”, ka thënë Haziri.