(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune rektorin e Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, me të cilin kanë biseduar për koordinimin, bashkëpunimin dhe rolin e Komunës për mbështetje në infrastrukturën e këtij institucioni të madh në përgjithësi.
Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se Komuna e Gjilanit do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe koordinim që të jetë përkrahë universitetit dhe studentëve në vazhdimësi.
“Sot bashkë me rektorin Dërmaku kemi biseduar për bashkëpunimin, koordinimin dhe rolin e Komunës së Gjilanit në përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi, drejtimet dhe kushtet e studimeve. Përgatitjet dhe angazhimi akademik në Universitet është shembull i mirë i punës konkrete dhe besoj se ne si Komunë në bashkëpunim me rektoratin dhe me qeverinë të punojmë në realizimin e kampusit universitar që do të bëhet aty ku sot është kazerma e FSK – së. Gjithashtu ne këtë muaj do të fillojmë ndërtimin e kampusit të nxënësve, pas revidimit të projektit nga ana e Kuvendit Komunal ne jemi të gatshëm me filluar. Poashtu jam shumë i interesuar të nisim menjëherë edhe ndërtimin e kampusit të studentëve”, ka thënë Haziri duke shtuar se drejtimet e reja në të ardhmen do të jenë në përputhje më kërkesat në Gjilan si kultura fizike, mjekësia sportive dhe degë të tjera të mjekësisë janë disa ndër të cilat rektori sigurisht që do t’i ketë parasysh gjatë të ardhmes sepse kemi kuadro dhe ka kërkesa të shumta.
Ndërsa, rektori Arben Dërmaku, ka informuar kryetarin Haziri me punën të cilën është duke e bërë Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka” në përgjithësi si në aspektin e infrastrukturës poashtu edhe angazhimet dhe përgatitjet në fushën e studimeve.
“E kam informuar kryetarin Haziri me përfundimin e vitit akademik 2013 / 2014 por poashtu një informatë i kam dhënë edhe sa i përket përgatitjeve për fillimin e vitit të ri akademik 2014 / 2015 i cili do të filloj më 1 tetor pa asnjë vonesë. Në të njëjtën kohë kemi biseduar bashkërisht edhe për temën shumë të rëndësishme për Universitetit që është kampusi i ri universitar dhe u dakorduam që sa më shpejt ta fushim në përdorim të universitetit. Poashtu kemi biseduar edhe për drejtimet e reja për të cilat do të marrim vendim me një analizë të kujdesshme duke i shikuar të gjithë parametrat. Kryetari Haziri ka qenë gjithmonë në shërbim të universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, që nga koha sa ishte deputet dhe është duke na përkrahur në vijimësi edhe gjatë kësaj kohe sa është kryetar Komune”, ka thënë ndër të tjerash rektori Dërmaku. /2L ONLINE/