(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka kërkuar zgjidhje politike për problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, gjatë një konference të përbashkët me deputetin e Kuvendit të Serbisë, Riza Halimi.
Haziri paraprakisht ka zhvilluar një takim me një delegacion të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, si vazhdimësi e projektit për bashkëpunim ndërkufitar Gjilan-Preshevë-Kumanovë-Trgovishte, që ka nisur para dhjetë vitesh dhe ka marrë mbështetje edhe nga Këshilli i Evropës.
Kryetari Haziri ka thënë se ky mikroregjion evropian duhet të shtrihet në dimensione të reja të bashkëpunimit, duke u hapur për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe duke hequr çdo lloj takse, pengese a barriere që pengon këtë bashkëpunim.
Haziri u ka bërë ftesë qeverive të Prishtinës dhe Tiranës, një ditë para takimit të madh të Prizrenit, që të merren seriozisht me të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore, të cilat ende janë të pazgjidhura. “Një Kosovë e vogël, është problem i pazgjidhur”, ka thënë Haziri.
Kurse deputeti Riza Halimi, përfaqësues i vetëm i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë, e ka falënderuar Hazirin për këtë nismë dhe gjithë bashkëpunimin e deritashëm, sikurse edhe për rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës, që ai e ka cilësuar shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve atje.
“Ne kemi nevojë të madhe për ndihmë dhe përkrahje, duke filluar nga Gjilani, së qendër e mikroregjionit, pastaj nga qeveria e Kosovës si dhe ajo e Tiranës, për të stabilizuar situatën në Luginën e Preshevës”, ka thënë Halimi.
Halimi ka kërkuar prej qeverive në Prishtinë dhe Titanë që të ndajnë një fond për zhvillimin e Luginës së Preshevës, për të shmangur rrezikun nga spastrimet etnike që i kërcënohen këtij regjioni të banuar me popullsi shqiptare.
Ndërkaq nga faktori ndërkombëtar, deputeti Halimi ka kërkuar që të bëjë presion mbi Serbinë për të filluar bashkëpunimin ndërkufitar Gjilan-Preshevë-Kumanovë-Trgovishte, që është projekt i Këshillit të Evropës, sepse deri më tani, qeveria e Beogradit nuk ka lëvizur në këtë drejtim as me Kosovën dhe as me Maqedoninë. /2lonline/