Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës që ta ratifikojnë sa më parë programin Flows të Bankës Botërore, për t’i dhënë zgjidhje afatgjate problemit të ujit për Gjilanin e Anamoravën.
Gjatë vitit të kaluar, Banka Botërore i ka dhënë dritën jeshile Komunës Gjilanit për mbështetjen e këtij projekti që kap vlerën e 25.5 milionë euro.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se ky projekt përfshinë tri komunat, Gjilan, Viti dhe Kamenicë, për sigurimin e mjaftueshëm të ujit, që në këtë rast Komuna e Gjilanit është promotori i projektit, ndërsa “Hidromorava” është përfituese e projektit, të cilin Bordi i Bankës Botërore e ka miratuar më 9 qershor 2020, në Washington.
“Është nevojë urgjente ratifikimi i programin Flows të Bankës Botërore nga ana e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës, për t’i dhënë zgjidhje afatgjate problemit të ujit për Gjilanin dhe Anamoravën. Ky projekt ka dy komponentë brenda vlerës 25.5 milionë euro. Komponenti i parë është për sigurimin e ujit të pijes për Gjilan, Viti dhe Kamenicë, ndërrimin e gypave të vjetër nga penda e Përlepnicës, njehsorët dhe eliminimin e humbjeve të ujit, dhe këtë e monitoron drejtpërdrejt KRU Hidromorava”.
“Ndërsa, komponenti i dytë parasheh trajtimin e ujërave në shtratin Moravë e Binçës, ujërat për ujitje të tokës, rehabilitimin e shtratit të lumit prej vendbanimit “Shushtë” në Viti e deri te kufiri me Serbinë në Kamenicë. Gjatësia e gjithë projektit është 50 kilometra, ku është paraparë sistemi i ujitjes, parandalimi i vërshimeve, mbrojtja nga erozioni, mbrojtjen e ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, mbrojtjen e mjedisit dhe njëkohësisht zhvillimin e fuqishëm bujqësor në dy anët e këtij lumi”, ka thënë Haziri. /2LONLINE.com/