Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka pritur të hënën në një takim pune, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, me të cilin ka biseduar rreth çështjeve ekonomike e sidomos pakos së re fiskale që po përgatit qeveria e Kosovës dhe më pas, bashkërisht kanë marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e bizneseve nga kjo komunë e Anamoravës, që dikur ka qenë një qendër e njohur agro-industriale.
Duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën në Gjilan, kryetari Haziri është shprehur i bindur se ai, me njohuritë dhe potencialin që ka për çështjet ekonomike, do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik në Kosovë e në veçanti në regjionin e Gjilanit.
“Unë sot i paraqita para zëvendëskryeministrit disa çështje të hapura që ne kemi me qeverinë, në mënyrë që përmes ndryshimeve fiskale, të mbështet puna jonë që ka të bëjë kryesisht me zhvillimin ekonomik, sidomos në prodhimin e bimës së duhanit, bimës së lulediellit dhe disa iniciativa të tjera, të cilat ndihmojnë shumë jo vetëm Gjilanin, por edhe Anamoravën dhe komunat e Luginës së Preshevës, në përgjithësi”, ka thënë Haziri.
Haziri ka thënë se me zëvendëskryeministrin ka biseduar edhe për çështjen e pronave dhe ka nënvizuar faktin se Gjilani ka nevojë për të zgjidhur një problem të tillë në dy nivele, atë të qeverisë dhe nivelin e AKP-së, duke shtuar se jo më pak e rëndësishme është edhe çështja e tretë, kampusi i universitetit publik të Gjilanit, i cili po ashtu lidhet me çështjen e pronës.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, i cili ka thënë se të arriturat në komunën e Gjilanit janë në nivelin e duhur, është zotuar se do të punojë në qeveri që këto zhvillime në ekonomi dhe bujqësi të avancohen më tutje.
“Ne kemi miratuar vendimin për regjistrimin e pronave dhe me këtë janë krijuar kushte që tani shteti, me një vendim qeveritar, t`i destinojë këto prona për nevojat e Komunave dhe të institucioneve tjera përkatëse”, ka thënë Kelmendi.
Ai po ashtu ka thënë se me kryetarin Haziri ka biseduar edhe për kërkesat e shumta për zhvillimin e bujqësisë, në veçanti për kultivimin e duhanit dhe brengosjen që kanë qytetarët e këtij regjioni, përfshirë edhe ata të Luginës së Preshevës, në kultivimin e kësaj bime dhe ka premtuar se në pakon e re fiskale, e cila do të aprovohet së shpejti, do të futet edhe çështja e heqjes së akcizës për bimën e duhanit.
“Pra kemi shumë punë për të bërë dhe për këtë qëllim, në vazhdimësi jemi duke i dëgjuar të gjitha shqetësimet e prodhuesve dhe premtoj se pakoja e re fiskale do të jetë një rilindje për të gjithë prodhuesit e Kosovës, në përgjithësi dhe Gjilanin, në veçanti, sepse këtu ka një veprimtari prodhuese të organizuar dhe të fuqishme dhe ne do ta mbështesin në vazhdimësi këtë regjion”, ka thënë Kelmendi.
Më pas Haziri dhe Kelmendi kanë zhvilluar një takim me bizneset e kësaj komune, ku kanë folur për lehtësirat që po përgatit qeveria, për kërkesat dhe nevojat e prodhuesve si dhe për pengesat me të cilat ballafaqohen prodhuesit dhe në përgjithësi ekonomia vendore.
Duke u përgjigjur në pyetjet e disa afaristëve, zëvendëskryeministri Kelmendi ka thënë se pakoja e re fiskale e ndihmon shumë prodhimin vendor. “Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar që t`i përmbush kërkesat e arsyeshme të prodhuesve”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, thënë se OSHP-ja është bërë pengesë serioze për realizimin e investimeve, me procedurat e saj të stërzgjatura dhe ka kërkuar nga qeveria që ta zgjidhë këtë problem.
“OSHP-ja është bërë mekanizëm pengues në realizimin e investimeve dhe kjo në veçanti ka të bëjë me komunën tonë. Jam i bindur se investimet e mëdha nuk mund të realizohen pa kaluar një periudhë kohore prej 9-12 muaj, madje ndonjëherë edhe më gjatë se kaq dhe në fund OSHP-ja vendos sipas dëshirës së saj”, ka thënë Haziri.
Kelmendi ka thënë se të gjitha komunat janë ankuar ndaj OSHP-së dhe ka premtuar se këtë problem do ta ngreh në qeveri për diskutim.
Gjatë qëndrimit njëditor në Gjilan, zëvendëskryeministri Kelmendi ka vizituar edhe Universitetin “Kadri Zeka”, ku ka mbajtur një ligjëratë si dhe dy kompani prodhuese, Fabrikën e lëngjeve “RC Cola” si dhe Fermën e pulave “Konsoni”.