Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, ka përmendur boshllëkun në disa resorë të Komunës, më shumë së një vit, pas suspendimit të 29 shërbyesve civil, si pasojë e aktakuzës së prokurorisë speciale, duke thënë se shërbimet profesionale janë treguar të pamjaftueshme për ta mbushur boshllëkun.
“Besojmë se këtë boshllëk do ta plotësojmë përmes konkurseve të brendshme”, tha Haziri.
Haziri ka paralajmëruar investime në infrastrukturë në vlerë prej 36 milionë euro, të cilat tha se do t’ua përmirësojnë cilësinë e jetës qytetarëve.
“23 programe të hapura i kemi nga viti i kaluar për infrastrukturë publike, dy programe të sportit, siç është stadiumi i qytetit, palestra në Zhegër dy stadiume ndihmëse dhe programe tjera sektoriale që kapin shifrën e 36 milionë eurove, pa e përfshirë këtu edhe autostradën. Po ashtu, presim që qeveria ta konfirmoj edhe Soft Loan për kolektorët e ujërave të zeza”, është shprehur kreu i Gjilanit.
Haziri ka paralajmëruar se do të subvencionohen edhe ndërmarrjet “Stacioni i Autobusëve” e “Tregu” etj.