(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, sot ka vizituar kompanitë “Integj” dhe “Albimi”, duke thënë se ky është kujdes i shtuar i Komunës për t’u dalë në ndihmë bizneseve gjilanase. Haziri, i cili shoqërohej nga drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi dhe shefi i Kabinetit Abër Ismajli, ka përgëzuar këto biznese të Gjilanit për suksesin e treguar duke transportuar jashtë vendit 60 për qind të prodhimeve – veçanërisht biçikletave.
“E falënderoj z. Krivaqa për pritjen. Pas nëntë muajve të qeverisjes, jemi rikthyer për të vizituar këto biznese edhe para zgjedhjeve. Është njëri prej bizneseve të suksesshme të Gjilanit edhe në përpunimin edhe në prodhimin dhe duke e ditur që 60 për qind e prodhimit eksportohet jashtë vendit, kjo është mburrje për neve. Duhet ta dijë Kosova që në Gjilan prodhohen biçikleta që mund të t’i shfrytëzojnë. Ne do t’i rrimë afër bizneseve do të t’ju ndihmojmë me të gjitha kapacitetet tona komunale. Heronjtë e sotëm janë këta që krijojnë vende të reja pune”, tha Haziri.
Kreu i Gjilanit ka thënë se tashmë ka nisur rregullimi i stazave për biçikleta, ndera pohoi ka në plan që të qes në ankand veturat e Komunës, për të blerë biçikleta dhe për të shfrytëzuar për nevojat e Komunës.
“Kemi hyrë në program të përbashkët për të ndërtuar parkingje për biçikleta për të inkurajuar njerëzit që t’i përdorin për qarkullim. Tash e tutje do t’i qesim në ankand veturat dhe të marrim biçikleta për shërbime tona brenda Komunës. Janë ekologjike, pa shpenzime dhe personalisht do të shfrytëzoj biçikletën që të shkojë në punë dhe të kryej punët e ditës. I kemi bërë shtegjet, por policia ka ende punë për të bërë në mënyrë që t’i liroj shtegjet nga parkingjet ilegale dhe përfundimisht do të hyjmë në bashkëfinancim për parkingje të biçikletave dhe rregullimin e trotuareve në Gjilan”, ka thënë Haziri.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi, ka deklaruar se çdo javë do të vizitohet nga një biznes, për t’ju ofruar ndihmën e plotë në funksionimin sa më të suksesshëm të tyre.
Nga ana e tij, drejtori i kompanive “Integj” dhe Albimi” Ibrahim Krivaqa, ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën, duke thënë se kjo është shenjë e mirë që po vizitohen dhe po u ofrohen ndihmë edhe jashtë fushatave elektorale. /2L ONLINE/