(2L ONLINE) – Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Gjilanit, Sokol Haziri me bashkëpunëtor, sot ka inspektuar punimet që janë duke u bërë në rregullimin e rrugëve në fshatin Velekincë, ku gjendja e rrugëve ishte e rëndë dhe e papërballueshme sipas pohimeve të banorëve të kësaj lagjeje.
Me këtë rast, drejtori Haziri, ka thënë se janë të vendosur që të jenë në shërbim të qytetarëve përmes punëve konkrete në infrastrukturë duke qenë të vendosur që të punojnë edhe gjatë të ftohtit deri në ato momente që kushtet klimatike nuk janë pengesë për të kryer punë.
“Janë duke u shtruar rrugët në zhavorr në këtë pjesë të fshatit Velekincë. Kjo është faza e parë, sepse po bëhet një investim vetëm sa për të kaluar dimrin, ndërsa në vitin e ardhshëm do të marrim hapin tjetër atë për asfaltimin e këtyre rrugëve të cilat ishin skajshmërisht të degraduara. Vetëm kushtet e vështira klimatike do të na ndalin, ndërsa për arsye tjera ne nuk do të ndalemi por do të punojmë edhe gjatë dimrit sikur të jetë stina e verës. Ne kemi marrë këto detyra për të punuar dhe puna do të vazhdoj gjatë gjithë vitit pa ndërprerë në asnjë moment. Ne u kemi premtuar qytetarëve të Komunës së Gjilanit se do të punojmë dhe ato premtime do të realizohen. Normalisht në bazë të buxhetit të cilin do ta kemi në dispozicion”, ka thënë drejtori Haziri”.
Gjilani ka nevoj për më shumë mbështetje në aspektin e buxhetit nga niveli qeveritar, në mënyrë që qytetarëve të Gjilanit vërtet t’u krijohen kushtet që i meritojnë.
“Shpresojmë se tashmë pas formimit të qeverisë së Kosovës edhe kapacitetet e Komunës së Gjilanit në aspektin buxhetor do të jenë më të shtuara dhe një vëmendje më e madhe e qeverisë duhet ti kushtohet regjionit të Gjilanit në përgjithësi, sepse deri më tani nuk ka qenë një mbështetje e meritueshme për Komunën e Gjilanit”, tha ai.
Ndërsa, Gani Hajrullahu, banorë i këtij fshati ka thënë se intervenimi i tanishëm është i mirëpritur nga ne sepse veturat tona dëmtoheshin shpeshherë nga rrugët e prishura. Ai poashtu shpreson se vitin e ardhshëm do të asfaltohen këto rrugë, sepse ishim gjatë kohë të lënë anash. /2L ONLINE/