/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga udhëheqësi i Njësisë për Kulturë, Bujar Haziri si dhe përfaqësues të sektorit të artit në Gjilan, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Teatrit të Bazelit të Zvicrës, Ruth Widmer.
Kreu i Komunës, Lutfi Haziri u shpreh i kënaqur për vizitën si dhe për bashkëpunimin ndërmjet artistëve të Gjilanit dhe atyre të Bazelit, duke thënë se kjo është mënyra më e mirë e afirmimit të vlerave të artit dhe të kulturës, në përgjithësi.
Teatri i Bazelit “Theatre Fallen” dhe drejtoresha Widmer, bashkë me ekipin e aktorëve, regjisorëve dhe dramaturgëve të këtij institucioni të kulturës në Bazel, kanë vendosur bazat e bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit.
Ky është edhe qëllimi i kësaj vizite. Bashkëpunimi hap mundësi që aktorët e Gjilanit dhe të Bazelit, në të ardhmen të bëjnë shfaqje të përbashkta. Gjatë këtyre ditëve, të dy teatrot do të zhvillojnë disa punëtori, për të krijuar produksione të përbashkëta skenike.
Përndryshe, gjatë takimit me znj. Widmer, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se bashkëpunimi mes dy shteteve, Kosovë-Zvicër, është në nivel të lartë, sikurse edhe bashkëpunimi mes Komunës së Bazelit dhe Gjilanit, në sferën e kulturës.
Mysafirët nga Bazeli e kanë vlerësuar pritjen e kryetarit të Komunës si dhe interesimin e tij për zhvillimet në kulturë, përkatësisht për kontributin e tij për afirmimin dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy popujve, përmes artit.
Haziri po ashtu ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit, që t`i përkrah këto iniciativa, për të krijuar në vazhdimësi bashkëpunimi edhe në fusha të tjera./2L ONLINE/