Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në një takim pune përfaqësues të organizatës “Zëri Rinor”, të cilëve u ka ofruar mbështetjen e plotë në realizimin e programit të tyre për orientimin e të rinjëve në karrierë, shkollim adekuat dhe njëkohësisht edhe mbështetje në fusha të ndryshme me rëndësi për të rinjtë.
“Puna që bënë kjo organizatë e re në profilizimin e të rinjve në karrierë përmes aktiviteteve kryesisht në shërbim të përgjithshëm për rininë, janë një elemente të fuqishme, për çka Komuna e Gjilanit do të jetë mbështetëse e aktiviteteve të tyre në forma të ndryshme. Shtëpia e Rinisë, Teatri, Biblioteka, por edhe hapësira të tjera të Komunës do të jenë në shërbim të aktiviteteve të tyre që janë me interes për rininë në përgjithësi”, ka thënë kryetari Haziri gjatë takimit.
Përfaqësuesi i organizatës “Zëri Rinor”, Ardit Jaha, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, duke e informuar për realizimin e aktiviteteve të shumta që kanë të bëjnë kryesisht me interesin e përgjithshëm të rinisë e më specifike orientimi në karrierë dhe shkollimi adekuat në hap me kërkesat e tregut të punës.