/2L ONLINE/ – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e organizatës Kosovo Center for Bussiness Support (KCBS), Burim Korqa – menaxher dhe koordinatorët e Arta Qupeva e Besim Haziri, ku është njoftuar rreth fillimit të implementimit të dy projekteve të rëndësishme për Gjilanin, “Të drejtat Pronësore të Grave, Fuqizimi i Tyre” dhe “Fuqizimi Ekonomik i Gruas, Avancimi i Shoqërisë Kosovare”.
Kryetari Haziri, pasi i ka falënderuar përfaqësuesit e kësaj organizate për vizitën, i ka ofruar mbështetje maksimale institucionale për implementimin e këtyre projekteve, të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
Projekti “Të drejtat Pronësore të Grave, Fuqizimi i Tyre”, i cili financohet nga USAID, ka për qëllim funksionalizimin e zyrës për regjistrim civil në zbatimin e obligimeve ligjore për dërgimin e certifikatave të aktit të vdekjes në gjykatë për procedurë të mëtutjeshme trashëgimore në komunën e Gjilanit.
Ndërkaq, projekti “Fuqizimi Ekonomik i Gruas, Avancimi i Shoqërisë Kosovare” financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe ka për qëllim fuqizimin socio-ekonomik të gruas afariste përmes edukimit dhe angazhimit të saj në vendimmarrje, me qëllim të krijimit të politikave lokale në favor të bizneseve.
Përfaqësuesit e organizatës Kosovo Center for Bussiness Support (KCBS), kanë falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për ofrimin e mbështetjes institucionale. /2L ONLINE/