(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot edhe fizikisht ka dërguar certifikatën e parë pas aplikimit online të qytetarëve. Kjo është mundësuar falë projektit Home – Komuna që ka nisur të zbatohet nga fillimi i këtij muaji. Ishte fati i qytetarit Eugen Isenit, që sot ta marrë çertifikatën e tij nga kryetari Haziri.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se ndryshimet që i kemi përmendur më parë tashmë vetëm po shihen nga ana e qytetarëve tanë.
“Ndryshimet për të cilat kemi folur më parë tashmë kanë nisur të shihen edhe në praktikë. Ne jemi në shërbim të qytetarëve, tashmë Gjendja Civile ka hyrë në një program të ofrimit të shërbimeve online. Me iniciativën e drejtorit Gagica është hequr fillimisht pauza dhe tashmë kemi nisur këtë projekt. Me këtë do të eliminohen radhët e gjata dhe do të ofrohen më shumë mundësi për shërbime në të njëjtën kohë. Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me postën dhe shërbimi qytetarit i dërgohet brenda 24 orëve. Edhe për bashkatdhetarët tanë kjo është një mundësi shumë e mirë, sepse ata mund të aplikojnë tani dhe kur të vijnë këtu e kanë të gatshme atë që kanë kërkuar. Do të pretendojmë që radhët e qytetarëve dhe pritjet para sporteleve të vijnë në pikën zero, sepse pretendojmë që shërbimet t’i ofrojmë në shtëpi”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai po ashtu ka publikuar edhe projektin e dytë që do të implementohet e që ka të bëjë përsëri me dhënien e shërbimeve, por me një dimension edhe më të gjerë.
“Po e publikoj këtu edhe projektin e dytë të dhënies së shërbimeve përmes programit të dytë “One Stop Shop”, ku të gjitha dokumentet e Gjendjes Civile mund të merren në një vend. Gjithashtu do të trajtohet dhe riorganizohet ai objekt tek Administrata e Përgjithshme”, ka përfunduar kryetari, duke shtuar se programet online gjithmonë dhe në çdo vend kanë pasur sukses dhe sigurisht që edhe në Gjilani kështu do të ndodh.
Ndërsa Nazim Gagica, drejtor i Administratës së Përgjithshme, ka thënë se ky projekt është falë insistimit të kryetarit Haziri.
“Jemi të lumtur që ky projekt ka nisur të realizohet dhe është duke u shtuar përditë e më shumë numri i qytetarëve që aplikojnë online. Është një përparësi që brenda 24 orëve përmes postierit certifikata të dërgohet në shtëpinë e aplikuesit. Për këtë periudhë 5 – 6 ditore janë bërë mbi 90 aplikime online nga qytetarët”, tha Gagica.
Eugen Iseni, aplikuesi i parë online, të cilit iu dorëzua zyrtarisht certifikata nga kryetari Haziri, është shprehur i lumtur për këtë mundësi të ofruar, duke thënë se kjo është punë e madhe e bërë nga ana e Komunës së Gjilanit.
“Kjo është një punë që ne duhet falënderuar Komunën e Gjilanit përherë sepse shërbimi i pajisjes me dokumentacione përmes aplikimit online është një përfitim së pari kohor por edhe material”, theksoi z. Iseni. /2lonline/