Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në 35-vjetorin e rënies së heroit Zijah Shemsiu, ka thënë se është krenar me veprën heroike të tij.
Në këtë përvjetor, Haziri ka vizituar shkollën që e mban emrin e heroit në lagjen Zabel, duke parë nga afër mësuesit teksa e zhvillojnë mësimin online me nxënës.
“Është përvjetori i madh i heroit Zijah Shemsiu. Në mënyrë të veҫantë, në kohë pandemie, me stafin e kësaj shkolle, kemi shënuar këtë përvjetor, ndërsa fëmijët me program online kanë organizuar një manifestim të jashtëzakonshëm, i cili shënon, përkujton dhe gjunjëzohet për veprën e Zijah Shemsiut. Është njëra prej shkollave të mira, të vlerësuara dhe sukseset na gëzojnë shumë. Kjo shkollë është e përfshirë në programe të avansimit dhe edukimit”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka uruar që ta përballojmë këtë situatë pandemie dhe t’i kthehemi zhurmës së nxënësve.
“Deri atëherë, unë kërkoj nga udhëheqja e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit e prindërit të vazhdojnë të bashkëpunojnë, sepse duhet ta maksimalizojmë nxënien e dijes në këtë fazë. Jam krenar me programin e mësimit nga distanca të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan”, ka deklaruar Haziri.
Falënderim për vizitën ka shprehur drejtori i shkollës “Zijah Shemsiu”, Qemajl Dushica, i cili ka uruar që t’i kthehen sa më parë procesit të rregullt arsimor.