(2LONLINE) – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për t’i nderuar ata për sakrificën e madhe që bënë për lirinë që sot po e gëzojmë.
Kryetari Haziri është shprehur me këtë rast se në ditën e parë të punës është obligim që të gjunjëzohemi para atyre që dhanë më të shtrenjtën dhe falë tyre Kosova po e gëzon lirinë.
“Ne ditën e parë të punës është obligim parësor që të gjunjëzohemi para atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, që kanë dhënë më të shtrenjtën, dhe falë sakrificës së tyre, martirizimit dhe heroizimit të dëshmorëve ne sot jemi këtu në këtë ditë të bardhë, në këtë liri që Kosova po e gëzon” tha Haziri.
“Ne i gjunjëohemi veprave të dëshmorëve, familjeve të tyre dhe ata që janë pasardhës do ta kenë kujdesin e shtetit dhe në këtë rast të Komuës. Ne përveç kompleksit memorial, i cili, do të përfundojë domosdoshmërisht me prioritet, nuk mund të jemi rehat kur e shohim që ata që s’janë sot me ne ende e kanë ambientin e parregulluar”, ka thënë Haziri.
Më pas, Haziri ka nderuar dëshmorët dhe martirët në Lladovë, Zhegër, Llashticë, Velekincë e Përlepnicë, për t’u kthyer në qytet në nderim të sakrificës së Agim Ramadanit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës.
“Ne i nderuam sot dëshmorët e kombit si: Idriz Seferin, Agim Ramadanin, Mulla Idriz Gjilanin, Zija Shemsiun, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, dhe të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët Gjilanin e bëjnë sa krenar, por në të njejtën kohë edhe të përgjegjshëm për t’i vlerësuar dhe për t’i nderuar”, tha kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE/